Home Festivali ndërkombëtar i poezisë Ediconi 2 RAHOVECI BAKU POEZIA

RAHOVECI BAKU POEZIA

3754
0

Agim Vinca

Të nderuar miq dhe kolegë,

Të jesh në Rahovec, në vendin e verës e të begatisë dhe të njerëzve të vyeshëm e bujarë, është kënaqësi. Por të jesh në Rahovec, në një festival poezie, origjinal për nga koncepti dhe përmbajtja, në mesin e poetëve nga mbarë hapësira shqiptare dhe nga bota, është privilegj.

Ky privilegj sonte, në këtë prag vjeshte, kur piqet rrushi dhe vilen frutat e tij, më takoi mua.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë mbrëmje artistike dhe për vëmendjen me të cilën ndoqët atë që u tha për mua dhe pjesët nga krijimtaria ime.

Falënderoj organizatorin dhe posaçërisht drejtorin e Festivalit, poetin dhe përkthyesin Fahredin Shehu, njeriun me energji të pashtershme krijuese. Ishte ideja e tij që një mbrëmje e edicionit të dytë të festivalit Poezia dhe vera të më kushohej mua, në të vërtetë krijimtarisë sime. E ndiej veten të nderuar që me mua hapet seria që do ta quaja Portret krijues, sado që këtë nder e kanë merituar shumë të tjerë para meje.

Rahoveci është vend nga i cili del vera dhe rakia e klasit të parë, por nga kjo trevë kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin, sikurse dhe nga tërë Rrafshi i Dukagjinit, edhe poetë dhe intelektualë të klasit të parë.

Falënderoj referuesit Dr. Sali Bytyçi, Mr. Bedri Zyberaj dhe Dr. Kamber Kamberi për fjalët që thanë dhe vlerësimet që i bënë punës sime krijuese si poet dhe studiues i letërsisë. Që të tre kanë qenë dikur studentë të mi, kurse tani kolegë dhe miq, njerëz me të cilët më lidhin, përveç pikëpamjeve të përafërta për jetën, edhe pasioni për artin dhe letërsinë.

Në Rahovec, në qytetin që emblemë të vetën ka verën, sonte janë bërë bashkë poetët dhe poezia, që s’mund të mendohen dot pa të. Perëndia i verës, Baku, si e quanin romakët ose Dionisi, si e quanin grekët e lashtë, këtu është në shtëpi të vet. Bir i Zeusit, sikurse edhe Muzat, Dionisi, sipas mitologjisë, kur u rrit nga e ëma, Semela dhe e motra e saj, Inoja, kaloi në duar të nimfave, që i mësuan kulturën e rrushit dhe artin për të bërë një pije dehëse nga lëngu i rrushit: verën. Nuk ka metaforë më të bukur për artin dhe jetën sesa ajo e rrushit dhe e verës. Vera del nga rrushi, që është frut i natyrës, kurse arti, poezia buron nga jeta dhe është fryt i shpirtit. Askush më mirë nuk e ka shpjeguar këtë raport sesa dramaturgu austriak i shek. XIX, Franc Grilparcer (Franz Grillparzer, 1791-1872), i cili, duke iu referuar problemit të madh teorik të raportit mes artit dhe realitetit, ka thënë se ky raport është i ngjashëm me atë mes rrushit dhe verës: nëse rrushi, sipas tij, është jeta, arti është vera. I pari (rrushi) ka shijen e vet dhe na pëlqen, por e dyta (vera) ka një veti që s’e ka rrushi: na deh. As rrushi e as mushti nuk e kanë këtë veti. Vera po. Dhe rakia. Vera e Rahovecit është e lashtë sa perëndia i verës, Dionisi, alias Bakusi, ashtu siç është gadishulli ynë, Ballkani, djep i poezisë. Këtu, në këtë gadishull të lashtë e rebel, i ka rrënjët, siç dihet, letërsia evropiane, kufi i parmë i së cilës është Iliada e Homerit, pa harruar as baladat dhe rapsoditë e lashta popullore shqiptare dhe greke.

Përkufizimin e cituar më sipër të Grilparcerit, që haset në të gjithë doracakët e teorive letrare, do ta konkretizojë në vargje bashkëkohësi i tij, poeti i madh rus, Pushkini. Në një vjershë të tij të hershme me titull Mbrëmje studentësh (Studentët në gosti), romantiku i madh ngre lart poetët që gëzohen e pinë, kurse shkencëtarët pedantë i vë poshtë: “nën tavolinë”. Autori i vjershës në fjalë përmend Tacitin dhe Senekën, si dhe filozofin e madh klasik gjerman, Kantin, që i karakterizon racionaliteti – përkundër heronjve të tij, studentë e poetë, që i cilëson pasioni për verën, dashurinë dhe poezinë. I mbrujtur me filozofinë anakreontike, poeti i madh këndon: “O mik i shtrenjtë, le ta ngremë/ Ta ngremë shpejt dollinë,/ Në fund të gotave t’u lëmë/ Pedantëve mërzinë”. Ndërkaq, Gëtja, para tij, në poezinë manifest Elementet, tek rendit kushtet që duhet të plotësojë një krijim poetik për të qenë poezi me vlerë, thekson se krahas dashurisë, lavdisë dhe revoltës kundër të keqes, në këtë botë na joshin fort edhe tingujt e gotave dhe shija e verës magjiplotë. “Tinguj gotash, krejt të çlirë,/ Perla vere magjiplotë!/ Çdo dashnor e çdo i pirë/ Fort na josh në këtë botë!”.

Shumë kohë para autorit të Divanit perëndimoro-lindor, Gëtes, një poet tjetër, nga Lindja, shkroi vargjet magjike për verën dhe dashurinë. “Natën kur flinja më tha shpirti: Pi!/ Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;/ Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;/ Ke shekuj që të flesh në qetësi”. Është Omar Khajami, rubairat e të cilit i solli aq bukur në shqip, i pakalueshmi Fan Noli.

Kënga për verën dhe rakinë, kulti i saj, nuk mungon as në poezinë shqipe, të djeshme e të sotme.

Miku im, poeti Xhevahir Spahiu, ka një poezi antologjike me titull Kënga e dalldisur, e cila hapet dhe mbyllet me strofën melodike:“Lisat me rrush turfullojnë/ Si kuaj frelëshuar nëpër natë./ Pini se vreshtat s’mbarojnë,/ Mbaron vetëm jeta e ngratë”.

Për Dritëroin as mos të flasim, këtë pijetar të madh, i cili është i gatshëm ta dehë edhe vdekjen kur të vijë ta marrë. Agolli është mik i madh i gotës dhe dollibash i poezisë; këtej nga ne bohemi Mirko Gashi dhe Tahir Desku pas tij, janë njëherësh gazmorë e tragjikë si dy Arlekinë modernë.

Është një rastësi e bukur që kjo mbrëmje mbahet në vigjilie të ceremonisë së shenjtërimit të humanistes së madhe shqiptare Nënë Tereza, që do të zhvillohet nesër në Romë. E lindur në Shkup 106 vjet më parë, nga prindër të ardhur nga Prizreni, Gonxhe Bojaxhiu do të bëhet një nga figurat më të devotshme të mbarë botës, njësoj e dashur dhe e respektuar në Kalkutë e Nju-Jork, në Londër e Paris…, kudo në botë. Dhe mos të harrojmë se humanistja e madhe, që kujdesej për të sëmurët dhe të pastrehët si nënë e vërtetë, ka krijuar edhe poezi, duke na lënë mesazhe të paharrueshme dashurie për jetën: “Jeta është mundësi – përfito nga ajo; Jeta është e bukur – adhuroje; Jeta është ëndërr – jetoje; Jeta është sfidë – përballu me të; Jeta është lojë – luaje; Jeta është detyrë – plotësoje; Jeta është e shtrenjtë – vlerësoje; Jeta është pasuri – ruaje; Jeta është dashuri – shijoje; Jeta është mister – zbuloje; Jeta është dhimbje – sfidoje; Jeta është këngë – këndoje; Jeta është tragjedi – shmangiu; Jeta është fat – përfito; Jeta është aventurë – kujdes; Jeta është shumë e çmuar – duaje; Jeta është luftë – mësohu me të; Jeta është jetë – lufto për të!”.

Natyrshëm në këtë mbrëmje u pleksën fjala, muzika dhe poezia, por nuk mungoi, siç po shihni, as piktura. Është simpatike që kjo mbrëmje në formë portreti kushtuar krijimtarisë sime, mbyllet me një portret: me portretin tim të krijuar nga piktori rahovecas Florent Pista, i cili më pëlqen, jo pse është i bukur, por pse është i vërtetë. Autori i këtij portreti, Lenci, është bashkëshorti i moderatores së kësaj mbrëmjeje, ish-studentes sime skofiare, Yllzës. I falënderoj që të dy dhe u uroj sukses e mbarësi.

Edhe një herë ju falemnderit të gjithëve dhe mirupafshim në Festivalin e tretë – Rahovec 2017!

Rahovec, 3. 9. 2016

(Fjalë e mbajtur në mbrëmjen poetike në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Poezia dhe vera”)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here