ILIRE ZAJMI
KËSHILLA VETES
Mos prit të gjithë burrat të bien në dashuri me ty
të të quajnë kurtizanë kur epshi ua terron sytë
Mos i beso askujt për ndjenjat e tua
Ti e di më mirë se kushdo çka ndien lëkura jote
Mos u shtir se i di të gjitha.
Mëso çdo ditë diçka të vlefshme për veten
Festo për gjërat e vockëla.
Mos lejo të bezdisesh nga punët e mërzitshme
Kurrë mos dil në rrugë pa vëthë në vesh buzëkuq e parfum qershie
Fal shumë e marrë mos u bëj. Falja vetes të gjitha çmenduritë
Pranoja vetes të gjitha turpet. Mos fshih asgjë nga pasqyra
Bëhu e njerëzishme me njerëzit që të duan, qitua gjuhën snobëve e hipokritëve
Mos e puth dikë që rri me ty për një orë nuk ia vlen barra qiranë
Secili ka nevojë për një skutë të veten
Mos u pendo kurrë. Mos kërko falje për gabimet e tua
Fajet e të tjerëve mos i merrë mbi vete
Mundësisht mos fle pa bërë dashuri.Ndjehu mbretëreshë e fronit tënd
Lexo çka të pëlqen. Mos i beso shijes së të tjerëve
Kujdesu fort fort për unin tënd Musine
e lufto deri në fund për gjërat që do.
Ilire Zajmi Bio
Ilire Zajmi është lindur në qytetin e Prizrenit, në jug të Kosovës, më 1971. Ka studiuar shkencat e komunikimit masiv në Universitetin e Prishtinës.
Autore e njëmbëdhjetë librave. Pesë vëllimeve me poezi .Tri të botuara në gjuhën shqipe, “Këmbanat e mëngjesit” 1991, “Baladë e bardhë”, 2001 dhe “Valsi i mesnatës” 2016; “Amnesia” botuar në gjuhën angleze në Portugali, Corpos Editora, 2011, “C’est a fin” në frengjisht, botuar nga l”Harmattan në Francë , 2014.
Autore e tre romaneve “Fashitja e ëndrrave rebele” 1996 dhe “Era” 2014 ‘ Një luftë e pakryer” 2019, dhe librit publicistik “Një tren për Bllacë” në bashkëautorësi me gazetarin italian Filippo Landi, botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese La meridiana në vitin 1999 në Itali. Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën shqipe , Saga, Prishtinë, 2011, dhe në gjuhën kroate PIZHG, Rijeka, 2015. “Pamjet televizive dhe realiteti” libër studimor, Prishtinë 2014.
Poezitë e Zajmit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ajo është paraqitur me poezi në shumë antologji ndërkombëtare, në Itali “Farmaco d’amore”, në Taivan në antologjinë e poezisë shqipe, në Ukrainë “Best literature from 40 countries” etj.
Zajmi është fituese e çmimit për poezi “Venttenale” në Milano të Italisë, në edicionin e vitit 2011. Fituese e Naji Naman literary merit prize në Liban 2018, dhe fituese e çmimit të parë për poezi “Mitingu i Poezisë” Kosovë 2013.
Ajo ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të leterësisë dhe projekte të ndryshme kulturore. Është anëtare e Poetas del Mundo.