Lindi më 15.12.1965, Stubëll e Epërme, Viti, Kosovë.
Studimet për letërsi i kreu në Universitetin e Prishtinës. Katër semestrat e magjistraturës dhe provimet i ka përfunduar po në Universitetin e Prishtinës, ndërsa temën e magjistraturës e ka mbrojtur në USHT. Nga viti 2012 ndjek studimet e doktoratës për Letërsi në Universitetin “Shën Çirili e Metodi”, Shkup. Është në semestrin e fundit (të VI-in), në proces të hartimit dhe mbrojtjes së temës: Teksti biblik në letërsinë shqipe: prej letërsisë së vjetër tek realizmi, me mentor akademik Ali Aliun.
Është anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve, Paris (Academie Europeenne des Artes), i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i shumë asociacioneve kulturore.
Botimet:
1. Golgotë, Drita, Ferizaj, 1994 (poezi);
2. Kontrast ngjyrash, Prometheus, Graz & Prishtinë, 1996 (poezi);
3. Terapia e vdekjes – requiem për Kosovën?, Ura & Martin Segoni, Gjilan, 2000 (poezi);
4. Peizazh toke, Eurorilindja, Tiranë, 2004 (poezi);
5. Foc nestnis (Zjarr i pashuar, në gjuhën rumune), Bukuresht, 2007 (poezi);
6. Dashuri e pambarim, T-Kom, Shkup, 2007 (financuar nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë) (poezi);
7. Vitia 2009, udhërrëfyes”, Zyra për Informim Publik e Komunës së Vitisë, 2009 (financuar nga Zyra e OSBE-së në Gjilan. E botuar në gjuhën shqipe, serbokroate dhe një pjesë në gjuhën angleze) (udhërrëfyes-guidë për komunën e Vitisë);
8. Të tjerët për veprën letrare të Isak Ahmetit ose letërsia ndryshe e tij, (bashkautor me Zef Ahmetin), Albanisches Institut, St.Gallen, Zvicër, 2011 (kritikë letrare);
9. Legjenda e tërfilit, MediaPlusArt, Prishtinë, 2012 (poezi);
10. Stublla me shkollën e parë shqipe, 1584-1905, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, qershor 2014 (monografi);
11. Stublla, monografi, 2005 (grup autorësh).
Ka dhe dy libra në shtyp dhe disa të tjerë në dorëshkrim.
Ka botuar edhe shumë artikuj mbi: Karl Poperin, Ismail Kadarenë, Platonin, Horacin, De Radën, Konicën, Migjenin, Nolin e shumë autorë të tjerë; për praninë e Biblës në letërsinë evropiane dhe atë shqipe, si dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh të tjera nga publicistika, arti e kultura (të përfshira në libra, gazeta e revista të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit).
Çmimet letrare (disa syresh):
Çmimin vjetor për krijimtari, 1992 (nga Shoqata e Letrarëve të Rinj të Kosovës);
“Agim Ramadani”, 2003, 2005;
“Flaka e Janarit”, 2003, 2007, 2009, 2015 etj.;
”Muza e Agimit”, 2012, 2014;
“Esad Mekuli”, 2012 (LSHK);
“Akil Koci”, 2007 (për vëllimin poetik Peizazh toke);
”Shën Jeronimi Ilir”, 2012;
“Valët e Llapit”, 2013;
“Takimet poetike të Karadakut”, 2010, 2012 (Kumanovë) etj.
Poezia e Sarë Gjergjit, është e përfshirë në shumë antologji, ndër të tjera, në gjuhën shqipe (Fjala – Antologji e poezisë shqipe në Kosovë, Ballkan Free Press / Jalifat Publishing, 2013), rumune (Vullkani i durimit / Vulcanul rabdarii, Editura Do-Minor, Bukuresht, 2008) dhe gjermane (Ferdinand Laholli, Antohologie der modernen albanischen Lyrik, Doruntina Verlag, Buckeburg, 2003).
Vepra e tij është bërë objekt studimi i studiuesve të shumtë, duke u vlerësuar lart nga kritika letrare. Vlerësime për veprën e Sarë Gjergjit kanë dhënë: Akademik Kolec Topalli, Prof. dr. Isak Shema, Prof. dr. Faik Shkodra, Prof.dr. Hysen Matoshi, Prod. Dr. Astrit Memia, studiuesit: Marius Chelaru, Mihai Antonescu, Isak Ahmeti, Prend Buzhala, Ramadan Musliu, Baki Ymeri, Fehmi Ajvazi, Nuhi Ismajli e dhjetëra autorë të tjerë.
Si krijues u përfshi edhe në Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, të autorit Hasan Hasani, Prishtinë, 2003, në numrin jubilar të 50 vjetorit të botimit të revistës letrare për fëmijë “Pionieri”, nr.1, Prishtinë, 1998, në: Psherëtimë për tokën, panoramë letrare e krijuesve të Kosovës Juglindore (1939-2003) I, të autorit Hysen Këqiku, Kurora, Gjilan, 2004 etj.
Bazuar në librin “Stublla me shkollën e parë shqipe, 1584-1905”, Forumi Imazh&Media, në festivalin e XII të Imazhit Shqiptar (Tiranë, 2014), Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, ia akordoi çmimin Imazhi Shqiptar në Arsim.
Me kumtesa shkencore është paraqitur në disa konferenca shkencore, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë.
Ish kryeredaktor i revistës Identiteti (Prishtinë), i revistës Lajmëtari (Graz) dhe redaktor përgjegjës i revistës Kalendari letrar (Prishtinë). Aktualisht redaktor (për Kulturë, Letërsi, Arte) i revistës shkencore Fakti shkencor, që botohet në Prishtinë.
Është ndër organizatorët e manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” si dhe botues i buletinit të manifestimit me të njëjtin emër.
Ka kryer punë të ndryshme: në arsim, këshilltar në asamblenë komunale të Vitisë (10 vite), zyrtar për informim i kësaj komune, udhëheqës i Caritasit Çek në Gjilan, nënkryetar i Kolpingut për Kosovë etj.
Sidomos në vitin 1989, ishte i angazhuar në organizimet e studentëve (protesta, greva) të UP-së, në Këshillin për Pajtimin e gjaqeve (për rajonin e Anamoravës), bashkë me veprimtarin e çështjes kombëtare, Halil Alidema, Prof. Hasan Mekuli, Prof.dr. Isak Shema etj.etj.
REVOLTË…
(varianti I)
Poet
Eja dhe shih të zverdhur në palcë
tokën e premtuar të artit në këmishë nate
dhëmbët e bardhë në copëra mishi kudo në horizont
lotin e botës në sytë e mi
në dhimbjen që fshihet në çdo qelizë të qenies
fytyrën reale të botës shih, fitimtare në asgjë.
Midis poezisë dhe poetit një univers ndan, Poet
këtu kemi harruar se në fillim ishte Fjala
të çorientuar në rrugët tona
sinorin mes hirit e artit ngatërrojmë
një dëshmi më shumë për fytyrën engjëllore të ligësisë.
Eja sërish, të lutem,
se poshtë ka rënë fjala këtu
tokës së tharë të mendjes sonë
muzën dhuroja!
(varianti II)
Poezi
1.
Mos hiq dorë prej meje
shpirti im për ty ka etje!
Për mëkatar mos më merr
mos më përbuz për herezi
kur pa dashje shpërfill kërkesat e tua!
Pa frymën tënde
ndihem varr i gjallë
Poezi.
2.
Mal metaforash është libri i poezisë
grackë simbolesh
ku gjallojnë herë-herë
spermë politikanësh e popuj në agoni
toka shtatzëna – të vranëta, hi e plojë
lavire të virgjëra e psalme shenjtorësh
stuhi vullkanesh, fantazma, urti e Solomonit.
Sa profeci fsheh brenda vetes
Poezia –
lufta për dinjitet!
Njeriu dhe vdekja
Tashmë krejt e zakonshme
një: Njeriu dhe Vdekja – të zverdhur në palcë
fiksim e kanë njëri-tjetrin dhe mungesën e dritës.
Gjumin e amshuar
dhe gjymtyrët e tensionuara
në heshtje ndrydhur i mbajnë,
kohë të qelqtë
mbushin në të njëjtën shportë loti,
përshkojnë të njëjtën rrugë
dhe bashkë ngrehin dollinë për ligësinë.
Flasin e për çfarë nuk flasin
Njeriu dhe Vdekja
një – e njëjta jetë.
Legjenda e tërfilit në shtator
Të kam thënë e dashur
Sa u gëzohem gjetheve
të gjelbra në vjeshtë?
Si atë ditë,
kur ca filiza gëzimi
çelën një tërfil me katër fletë
dhe unë e këputa prej syrit tënd.
Naforë dhe verë shenjtërie
m’u bë zemra
Në kupë të saj 39 ditë
shkëndija ushqeu gjethja.
Të 40-n të preka shpirtin
si në legjendë
magjia e gjelbër
eliksirin derdhi
në gjakun tënd
në gjakun tim
në gjakun tonë.
Katër petale
një nga një shkulin sot
një lutje të madhe
me zë gjoksi:
Në emër të Atit (e para ra mbi sy)
Të Birit (mbi buzë e dyta)
Dhe Shpirtit të Shenjtë: (e treta mbi zemër)
Jetomë! (Oh… mbi dëshirë e katërta!)
O gjethëz’ e fatit,
Je Eva me një copëz klorofili në dorë
në shtegun e gjelbër drejt parajsës
je diell
je dielli im
që më përndez trupin kur të shoh…
p.s. për çdo rast…
SARË GJERGJI (PhDc)