Home Portali Art & Kulturë AVNI SPAHIU- Intervistë

AVNI SPAHIU- Intervistë

1045
0

Intervsitë Avni Spahiu

  1. Cila është fëmijëria juaj?

Ne të gjithë ruajmë dhe vlerësojmë kujtimet tona të fëmijërisë. Madje, mendojmë për të gjitha kujtimet e miturisë, kujtimet që sa janë personale, janë edhe shtytje që kanë qenë esenciale në formësimin e personalitetit dhe karakterit tonë. Nobelisti turk, Orhan Pamuk, përmbledh këto kujtime dhe reminishenca të fëmijërisë në esenë e tij “Valixhja e babait”. Të gjithë ne kemi një “valixhe” të tillë të babait dhe të familjes, një bagazh që na kthehet e rikthehet gjatë tërë jetës sonë.

Kam kaq shumë kujtime që i mbaj mend tani. Shumica e tyre janë të lidhur me familjen, prindërit dhe motrat e mia. Sepse pjesën më të madhe të fëmijërisë e kam kaluar me ta. Babai im ishte mësues dhe në atë kohë mësuesit transferoheshin nga një vend në një tjetër, gjë që nuk e kuptoja asnjëherë arsyen, por që ndodhte  sipas pushtetit të atëhershëm. Nuk e dija atëherë se mësuesit ishin ata që jo vetëm arsimonin gjeneratat por edhe tërë popullin, se ishin bartës të emancipimit dhe edukimit.

Babai im, Selim Spahiu, nuk kishte asgjë autokratike në raport me familjen dhe me njerëzit. Përkundrazi, kishte një shpirt liberal dhe emancipues, që rrallë e gjeje tek të tjerët në atë kohë. Ai kalonte kohën kryesore me ne. Ne jetonim në shkollë, në dhomat që ishin të rezervuara për mësuesin dhe shpesh ndërronin shkollat, pra edhe banesat. Më kujtohet, ne shkuam në një fshat në Drenicë dhe kur vajtëm nga Mitrovica, ku kisha lindur dhe kisha kaluar pesë vjet të jetës, udhëtuam me një autobus të vjetër nëpër rrugë të  pluhurosura në fshatin që paraqiste një botë tjetër për të gjithë ne. Nga dritaret e banesës së shkollës në Leçinë të Drenicës vërenim natyrën e gjelbëruar dhe fshatarët që venin e vinin duke u përkujdesur për punët e tyre. Kishte një pamje të mahnitshme në rrugë. I donim fshatarët, njerëzit që ishin aq miqësorë. Si dhe ata  të fshatit Kastërc në afërsi, prej nga vinte babai im dhe ku unë njoha rrënjët e familjes sonë…

Pata një familje shumë të dashur. Kisha një vëlla dhe  pesë motra me të cilët luanim shumë. Më kujtohen me shumë dashuri lojërat në oborrin e shtëpisë dhe “shpikjet” e lojërave dhe lodrave që përdornim për të luajtur. Sidomos në mbrëmje dilnim në natyrë deri kur binte terri. Çdo ditë e  kalonim në lojëra të ndryshme. Ajo jetë është shumë e dashur për mua. Për më tepër, akoma mbaj në mend aromën e bukës që gatiste nëna Shefkije. E shikoja sa herë që gatiste  ushqimin për ne, magjinë e krijimit të shijes së mrekullueshme përmes kombinimit të erëzave që ajo përdorte në gatitjen e ushqimit. Por  mbi të gjitha, bukën nore që bënte ajo. Edhe sot, ndonjëherë ndjej nuhatjen e bukës së saj dhe sa e sa herë kthej kokën pas këtij kujtimi. Kur shikoj këto foto-reminishenca, kujtesa është aq e qartë sa duket sikur ka ndodhur dje. Kujtimet e mia të fëmijërisë më janë shumë të dashura dhe më bëjnë të lumtur edhe atëherë kur nuk ndihem mirë.

Një kujtim i fëmijërisë, që shumica prej nesh e kemi të përbashkët, është dita e parë e shkollës. Të gjithë ne na kujtohet se si u ndjemë ditën e parë. Në klasën e tretë, babai im befas “hapi” valixhen e jetës së tij, që e mbante  të fshehur dhe që asnjëherë nuk e mësova se ku, por që e dija  arsyen. Një ditë ai më solli një libër (“Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit), të cilën  unë duhej ta lexoja për tre ditë. Isha “i detyruar” të lexoja, me atë ngathtësinë e leximit të një fillestari, për  ta bindur babain se tashmë isha “rritur” mjaft sa për të lexuar libra. Pas tri ditësh ai e mori librin prapë dhe më solli një tjetër (“Lulja e kujtimit” të Foqion Postolit) dhe pas tre ditësh të tjera një libër të ri. Kjo më krijoi dashurinë për leximin. E dija  se këto libra nuk i kishte askush tjetër në atë  kohë…

Kështu vazhdoi me libra të tjerë gjithnjë e më të mëdha dhe më të “vështira” për mua – një libër me shumë fletë që quhej “Bota shqiptare” dhe, në fund, edhe “Lahutën e Malësisë” së Fishtës, që babai im e dinte të tërën përmendësh. Mbrëmjeve nën dritën e zbehtë të llambës së vajgurit, babai na recitonte me zë të vogël vargjet e Fishtës, që na thoshte se ishin të ndaluara. Pastaj, ai  merrte çiftelinë ose lahutën, që u binte për mrekulli, dhe ia merrte ndonjërës prej këngëve epike të ciklit të kreshnikëve…

Një ditë në shkollë erdhën ca njerëz që e ftuan babain në zyrë. Dëgjoja si përçartë, me pafajësinë e një fëmije, kërcënimet e tyre dhe më kujtohet se si i kërkonin ca libra. Nuk e kuptoja atëherë se çfarë donin këta njerëz, që babai më vonë i quante njerëz të pushtetit, me librat që babai im i mbante të fshehura në “valixhen “e  jetës së tij, derisa nuk kuptuam më vonë se babai ishte në sy të keq të pushtetit komunist. Ishte koha e terrorit të Rankoviqit dhe të pushtetit serb komunist. Dalëngadalë po kuptoja  se këto ishin kohë të rënda për shqiptarët. Babai gjithnjë qëndroi stoik me dinjitet dhe asnjëherë nuk u përkul. Këtë mbaj në mend paharrueshëm në epiqendrën e kujtimeve të mia të fëmijërisë. Ky qëndrim i babait tim, një idealist i përjetshëm, mbeti inspirim për mua  gjatë tërë jetës edhe në çastet më të rënda që përjetova unë dhe të gjithë shqiptarët më mbante fryma e moralit të tij të lartë kombëtar. Këto janë kujtimet që nuk i shkoq dot nga koka…

  • Cilat kujtime do t’i dallonit nga periudha e rinisë?

Në rini lindën ambicie të tjera të shumta. Ishte koha e viteve të shtatëdhjeta kur Kosova  po  përjetonte një lehtësim dhe ku të gjithë shpresat i kishim tek e ardhmja – që me çdo kusht e në çdo situatë quhej me një emër: shkollimi. Kjo ishte ajo  që dëshironte çdo i ri, ishte ajo që dëshironin të gjithë shqiptarët në Kosovë, duke parë ardhmërinë me një shpresë të re. Shkollimi ishte bërë  moto dhe aspiratë për të gjithë dhe intelektuali shihej si njeri me aureolë që simbolizonte çdo gjë për të ardhmen. Kishte gjithandej një ndjenjë të thellë mallëngjimi me një dhembshuri që rrihte si daulle brenda gjoksit për gjeneratat e mëparme që kishin vuajtur aq shumë dhe që tani po përjetonin njëfarë lloj ringjalljeje, në mënyrën e tyre unike, siç përthyhej tek babai im dhe brezi i tij pishtar i arsimit. Ashtu siç reflektohej edhe në familjet tona kosovare. Ishim si flutura që dilnin nga fshikëzat  e tyre – shumëngjyrëshe, rrezatuese dhe gati për të eksploruar botën.

Andaj, në këtë frymë kisha fatin që nga shkolla ime e mesme të përzgjidhesha për ta vazhduar shkollimin në SHBA. Kosova, në frymëmarrjen e saj të re, si të gjitha njësitë federale të asaj kohe, dërgonte për çdo vit dhjetë nxënës për t’u shkolluar dhe diplomuar në Amerikë. Vajta në Miçigen (Elk Rapids) ku mbarova shkollimin, por edhe arrita të njihja një mentalitet ndryshe nga ai që kishim mësuar dhe përjetuar – një frymë të demokracisë së vërtetë që më ndihmoi në jetën time të mëvonshme. Ndonëse  kalova atje një kohë të kufizuar por të çmuar, megjithatë, ndjeja një lidhje magnetike me atdheun, familjen e babain tim, shtëpinë e zemrës sime. 

Të jetoja në SHBA më bënte të shkëputesha nga familja ime dhe akoma më i larguar nga kultura jonë e jetës. Ishte vështirë të bëhesha pjesë e jetës amerikane dhe asaj kosovare në të njëjtën kohë, nga që ato janë dhe ishin në atë kohë, aq të ndryshme. Në Kosovë nuk kishim të huaj dhe i trajtonim të gjithë si një familje, pavarësisht se ç’ishte një person, punonte në dyqan, në ndonjë lokal, ishte fshatar apo kishte zeje qyteti. Ne përshëndeteshim me njëri-tjetrin me përqafime të dashura dhe fjalë të zgjedhura lavdërimi sa herë që takoheshim. Në SHBA, njerëzit preferonin të shtrëngonin duart. Në Amerikë njerëzit ishin më të heshtur, me sytë ngjitur pas ekraneve televizive dhe muzikës së rokut. Jeta dukej aq e nxituar. Por, të gjithë ishin të lirë dhe flisnin çfarë të donin, madje duke kritikuar dhe përqeshur presidentin e tyre sa herë donin. Kjo ishte diçka a pabesueshme për dikë që kishte jetuar nën diktaturën komuniste dhe shtypjen etnike. Por, në Kosovë ishim në të afërt me njëri-tjetrin, kishim të bënim më shumë me miqësitë, familjen dhe kënaqësitë e jetës. Ne ishim shumë më të relaksuar, krahasuar me amerikanin mesatar të stresuar dhe materialist. Që të dy palët kishin anët e veta më të mira dhe më të zymta. Kjo ishte jeta që mësova në Amerikë…

Kjo përbënte një pjesë të jetës sime rinore. Por, jeta përbëhet nga pjesë të ndryshme të vetvetes që mblidhen për të krijuar një tërësi. Nuk ka rëndësi se sa pjesë përbëjnë tërësinë tonë, përkundrazi, është marrëdhënia jonë personale me ato pjesë që ka rëndësi – dhe që ne duhet ta ruajmë. Shpesh pyes veten nëse kisha shijuar ca si tepër kulturën amerikane dhe cili duhej të ishte tani raporti im midis kulturës amerikane dhe asaj shqiptare. Mendoj gjithsesi që ndikimi i kulturës amerikane në rininë time të hershme la gjurmë të rëndësishme, që më shoqëroi i bashkëdyzuar me kulturën tonë dhe jam ndier me fat që kisha pasur këtë mundësi jetësore për një jetë interesante rinore.

Kthimi në Kosovë ishte kthim në ambiciet e përbashkëta. Ishte kthim në aspiratat që kisha lënë prapa. Që në rininë e hershme,  jetonim mes historish e tregimesh admirimi heronjsh – luftëtarësh lirie, intelektualësh të shquar shqiptarë – rrinim me njerëz të veçantë të kombit.  Nga ata buronte shpresa dhe fuqia e ambicieve tona, sepse në pasqyrë shihnim këta heronj që i lexonim e rilexonim në libra.  Por tregimet tona të përditshme ngelnin jashtë teksteve dhe  i përjetuam ashtu siç  ndodhnin dhe si vinin. Në Kosovë në atë kohë ndodhnin gjëra dramatike, lëvizje që paralajmëronin lirinë e Kosovës, ishin dallgë të jetës pjesë e të cilave u bëmë të gjithë papërjashtimisht…

Pasi kreva studimet në Gjuhën dhe Letërsinë Angleze, fillova punë në gazetën “Rilindja”, në Redaksinë e Jashtme, që na krijonte mundësinë të udhëtonim jashtë sa herë që ndodhte ndonjë ngjarje e madhe ndërkombëtare. Isha me Nehat Islamin, respektin për të cilin e ruaj edhe sot, si dhe kolegë të tjerë, Binak Kelmendi, Jusuf Buxhovi, e të tjerë. Ishte “koha e artë” e Rilindjes  me një ripërtëritje gazetarësh të rinj, si Ibrahim Berisha, Xhemail Mustafa, Milazim Krasniqi (në “Fjala”) e të tjerë, si dhe redaktorët e nderuar dhe profesionistë, si Maksut Shehu, Zenun Çelaj, Ibrahim Kadriu, Mehmet  Kraja e të tjerë… Duke qenë se isha pjesë e  Redaksisë së Jashtme dhe flisja anglishten, që në atë kohë ishte raritet, pas tre vjetësh gazeta më emëroi korrespondent të përhershëm në Nju-Jork. Do ta zëvendësoja Maksut Shehun, i cili ishte emëruar kryeredaktor i Gazetës dhe që ishte korrespondenti i parë nga Shtetet e Bashkuara. Për mua, ky ishte një rikthim në realitetin amerikan dhe pikërisht i tillë që krijoi në jetën time atë që miku im Qani Mehmedi më vonë e quante “bashkëdyzim” dhe mua “i bashhkëdyzuar” duke lëvizur mes kulturës amerikane dhe asaj kosovare. Kjo ishte koha kur unë u njoha me Sebin dhe krijuam  familje, me  të cilën më vonë do të kishin tre fëmijë: Dardanin, dhe Blerimin, të lindur në Amerikë dhe më vonë, Vjosën të lindur në Skënderaj, gjatë kohës së pushtimit…

Më vonë, kur po përjetonim kulmin e shpresës për ne dhe  për Kosovën, gjërat pa pritur u përkeqësuan sërish. Kosova  u gjakos sërish në kërkim të të  drejtave  të saj. Pikëllimi u kthye sërish në mesin e shqiptarëve si një emblemë e  ndryshkur që menduam se e kishim hedhur tutje. Të rinjtë shqiptarë vriteshin, arrestoheshin, njerëzit persekutoheshin. Në shtëpitë tona u kthye ankthi që kishte shkaktuar, si shumë herë në të kaluarën, regjimi serb. Gjendja ishte e tendosur. Kur regjimi serb flaku shqiptarët  nga puna, kur ndaloi shkollat në gjuhën shqipe dhe  vendosi të merrte  çdo gjë në kontroll, përpjekjet për  të mbijetuar ngelën e vetmja  rrugë, por kjo nuk do të thoshte assesi që ne të flaknim dinjitetin tonë. Vëllai im, Avdyli, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit, si mijëra  të rinj të Kosovës, për  të ndihmuar familjen. Ai la studimet në vitin e tretë pasi që dyert e  fakulteteve  u mbyllën për shqiptarët. Të gjithë ndiheshim të pikëlluar. Babai tani recitonte më shpesh “Lahutën e Malësisë” dhe na jepte kurajo. Patriotizmi u bë lajtmotiv kryesor i të gjithë neve. Në “Rilindje” përjetonim gjëra  që as nuk i kishim menduar. Të gjithë ne ndanim dramat tona individuale me dramën kolektive që po përjetonte populli i Kosovës. Të tjerat tani kanë mbetur histori…

  • Keni studiuar gjuhën dhe letërsinë angleze. A ishte pasioni juaj më shumë i përqendruar për gjuhën apo për letërsinë angleze?

Gjuha për mua kishte më shumë karakter utilitar  – që do të më shërbente në jetë, por mbi të gjitha që hapte horizonte dhe qasje të reja të dijes. Natyrisht, ajo më krijonte qasje në kulturën anglo-amerikane dhe, sidomos hyrjen në një letërsi jashtëzakonisht të pasur që deri më sot ka dhënë 33 nobelistë dhe shumë  autorë të tjerë të barabartë që nuk u nderuan me Nobelin por që kanë famë botërore. Një letërsi që buronte jo vetëm nga ishujt britanikë dhe Irlanda, por edhe nga kolonitë si Shtetet  e Bashkuara dhe Kanadaja po edhe nga krijues që shkruanin në anglisht nga koloni të  tjera të Perandorisë Britanike. Kjo përbënte një krijimtari sa të gjerë po aq edhe të gjatë kohore: me afro 1400 vjet që nga dokumenti i parë në anglishten saksone, krijimtarinë e autorëve të periudhës së mesme dhe të asaj të sotme, me qendrën e spostuar nga Britania e Madhe në kontinentin e Amerikës Veriore, që i krijuan duke pasur për bazë traditën e pasur kulturore angleze.

Ç’mund të dëshironte më shumë një i ri që kishte zell dhe ambicie për t’u zhytur në botën magjike të artit dhe kulturës përmes leximit dhe njoftimit me autorë të mëdhenj: aty ishte Shekspiri, Marlou,  Spenser, por edhe Eliot, Kits, Blejk, Shelli, Bajron, Milton, Xhojs, e të tjerë,  apo të mëvonshëm, si Dikens, Hothorn, Doil, poetët amerikanë Uitmen, Emili Dikinson, Uaild, Shou, Poe, romancierët nobelistë, Heminguej, Ficxherald, Steinbek, Fokner, Toni Morrison, e emra të tjerë të panumërt. Dashuria për letërsinë, sidomos asaj anglo-amerikane për mua u bë permanente. Ajo u shndërrua në një burim të përhershëm inspirimi dhe prehjeje. Ku kishte zell më të lartë se sa shoqërimi me mendje të ndritura dhe autorë të papërsëritshëm të nivelit botëror që hapnin horizonte të jashtëzakonshme të dijes dhe krijimtarisë. Kjo nuk mund  të krahasohej me çfarëdo rregulli gramatikor të përvetësimit dhe elokuencës gjuhësore. Ky ishte një privilegj që akoma  e gëzoj në shestimet dhe aventurat që vijnë nga leximi i veprave të mëdha letrare…

  • A keni menduar ndonjëherë se do të bëheni përkthyes i njohur?

I përballur  me tërë këtë visar të pafund krijues të letërsisë, s’do mend, mëtoja  ta bëja të përqasme për lexuesin shqiptar atë që mund të bëja vetë përmes përkthimeve. Mahnitesha me përkthimet e Nolit, të tragjedive të Shekspirit dhe të përkthyesve të tjerë të veprave të mëdha të kësaj letërsie dhe gjakoja të provoja veten në këtë fushë. Ishte një sfidë që ofronte një kënaqësi të dyfishtë. Përktheva poezi të Eliotit, Spenserit, të Kitsit dhe njëherë bëra një “eksperiment” në përkthimin e një fragmenti të librit “të papërkthyeshëm” të Xhojsit, “Vigjëlimi i Fineganit”… Përktheva dhe poetë e romancierë anglo-amerikanë në një numër të  konsiderueshëm që kalonte 40-shin… Po nga shqipja përktheva antologji me poezi shqiptare, në bashkëpunim me  poetin Ali Podrimja, si “Guri i çarë” (“The Split Stone”), “Eni vjen nga Çamëria” (“Do you come from Chameria”, një cikël haiku nga autorë shqiptarë, si dhe një tjetër me “poezi” të Nënës Terezë, etj. Pastaj u sfidova edhe në përkthimin e autorëve tanë në gjuhën angleze… 

Gjithmonëkam qenë i impresionuar nga dy prej intelektualëve të njohur shqiptarë, Noli dhe Konica, shkollarë të Harvardit, ndër të tjera edhe për shkak  të përkthimeve të tyre të shkëlqyera letrare. Që të dy ishin edhe vetë krijues, poetë e publicistë të frymës europiane. Fan Noli i solli kulturës shqiptare disa nga kryeveprat botërore, ndër të tjera tragjeditë e shqipëruara të Shekspirit, kryeveprat e Servantesit, Bodlerin, Edgar Alan Poe-në, Khajamin, Ibsenin e të tjerë. Ai i bëri ata t’i flisnin lexuesit shqiptar në shqip. Aq shumë ishte i pasionuar Noli për letërsitë e mëdha sa që ai mësoi disa gjuhë të huaja të tjera që të ishte në gjendje t’i përkthente veprat e autorëve të njohur drejtpërdrejt nga gjuha e tyre amtare.

Konica ishte i një lloji tjetër intelektuali, më cinik, më skeptik dhe më i pakënaqur me gjendjen e emancipimit të shqiptarëve. Andaj, ai me më shumë përtesë përktheu disa nga veprat e shquara të autorëve botërorë, për shkak të skepticizmit të tij lidhur me aftësinë e shqiptarëve për të konsumuar e absorbuar veprat e mëdha botërore. Por, ai kishte një fuqi  të pakrahasueshme intelektuale dhe ishte admirues i madh i letërsisë botërore. Ndonëse ai kishte më pak përkthime të autorëve të huaj, ai ruante një referencë të përhershme në diskursin e tij intelektual ndaj autorëve të mëdhenj botërorë, sidomos nga letërsia frënge. Ai fliste 14 gjuhë dhe ato i hapnin mundësinë e bashkëshoqërimit me kultura të huaja, me letërsinë po edhe me diplomacinë. Me disa prej të shquarve të tyre madje kishte një bashkëpunim dhe miqësi të veçantë…

Interesimi im për përkthimet letrare dhe artistike nuk ka pasur ambicie të tilla për të arritur veçantitë dhe lartësitë e përkthyesve tanë të njohur. Interesimi tek unë erdhi nga një spontanitet të lindur nga interesimi për letërsinë dhe dëshira për t’ua sjellë edhe të tjerëve nga publiku shqiptar kënaqësinë që kam ndjerë vetë nga shijimi i veprave letrare nga kultura të  huaja, por edhe për prezentimin e pjesëve të krijimtarisë sonë kombëtare tek publiku i huaj. Pa aspirata të mëdha, kam sjellë ndonja 30 vepra të përkthyera letrare e publicistike tek lexuesi ynë dhe për cilësinë e përkthimit dhe të punës mund  të flasin të tjerët… 

  • Çka mund të thoni për procesin e përkthimit. Cilat janë sfidat dhe cilat janë kënaqësitë?

Procesi i përkthimit paraqet një komunikim artistik midis autorit, përkthyesit dhe lexuesit dhe fjalët e përdorura nga përkthyesi përbëjnë pjesën kryesore në procesin e komunikimit të ideve apo ndjenjave të autorit. Përkthyesi është ai që duhet të kuptojë, lexojë dhe interpretojë tekstin burimor i pari dhe ta përkthejë atë në një gjuhë dhe kulturë tjetër.

Mëtimi i përkthyesit është të japë një kontribut në procesin krijues duke ofruar një pjesë të kulturës nga gjuha e veprës që përkthen në gjuhën në të cilën përkthen dhe ky është, po ashtu “një bashkëdyzim” i përgjegjshëm ndaj asaj që njihet si krijimtari e botës letrare. Prandaj, përkthyesi letrar duhet të zotërojë njohuri të mjaftueshme nga të dy gjuhët, atë bartëse dhe atë pranuese duke qenë në gjendje që të bart narracionin, stilin, disponimin, veçantitë krijuese dhe imagjinatën e autorit.

Pozicioni i përkthimit në komunikimin ndërkulturor është thelbësor. Qëllimi i përkthimit është transmetimi i ideve dhe ngjarjeve nëpër kohë dhe hapësirë për të kuptuar diçka, për të realizuar, për të vërtetuar. Bota që është gjithnjë e më e ndërlidhur, përmes përkthimit përmbush një rol duke thyer barrierat gjuhësore. Nga pikëpamja profesionale, përkthyesit luajnë një rol si ekspertë të komunikimit ndërkulturor, ndërmjetës dhe urë lidhëse ndërmjet njerëzve.

Siç thekson studiuesja amerikane Julia Thornton, “të jesh përkthyes do të thotë të heqësh një pengesë gjuhësore dhe, sa më shumë të jetë e mundur, të kalosh një hendek kulturor midis njerëzve. Do të thotë ta shohësh botën me sy të ndryshëm”. Përkthyesi është ai që përkthen gjuhën burimore në gjuhën e synuar. Gjuha është një gjallesë dhe referencat kulturore shtohen vazhdimisht me kalimin e kohës, kështu që përkthyesit duhet të përqafojnë kulturën e gjuhëve me të cilat merren dhe gjithashtu ngjarjet aktuale, pasi ato kanë një ndikim të madh në mënyrën se si njerëzit komunikojnë. Pra, përkthimi do të thotë se nuk është thjesht përcjellje e kuptimit nga një gjuhë në tjetrën, por është gjithashtu një krijim.

Tek ne tradicionalisht, përkthimi letrar ka qenë të shumtën komunikim njëdrejtimësh: përkthimi nga kultura të huaja në atë shqiptare. Autorë të huaj, të mëdhenj të kulturave të tjera, sidomos të mendimit dhe krijimtarisë anglo-saksone, frënge dhe gjermane, janë prezentuar  përmes përkthyesve në gjuhën shqipe në një traditë të gjatë si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Sot, me njohuritë e zgjeruara të gjuhëve të huaja tek folësi shqiptar, komunikimi ndërletrar e ndërkulturor bëhet madje edhe në gjuhët burimore, sidomos në atë angleze pa ndërmjetësim të përkthyesit, nga që gjuha angleze po shndërrohet edhe joformalisht një gjuhë e dytë gjysmëzyrtare në Kosovë. Kjo nuk do të thotë assesi se përkthyesit letrarë po bëhen gjithnjë e më jorelevantë, nga që vetëm duke përkthyer një vepër në gjuhën amtare ajo shijohet në tërësinë e saj dhe në njëfarë mënyre bëhet pjesë e thesarit gjuhësor dhe kulturor kombëtar. Paramendoni po të mos i kishim përkthimet e veprave të Shekspirit, Servantesit, Ibsenit, Hygos, Gëtes, Markezit, e të qindra autorëve të shquar botëror në gjuhën shqipe. Sikur të mos kishim pasur plejadën e përkthyesve të lavdishëm, breza të përkthyesve të panumërt që punuan për të bartur veprat botërore në gjuhën shqipe, madje edhe në rrethana të rënduara shoqërore? Apo edhe armatën  e përkthyesve të rinj shqiptarë, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë sot?

Pra, karakteristika kryesore të përkthimit letrar do të mund të renditeshin kështu dhe jo domosdoshmërisht në këtë renditje: ruajtja e stilit të tekstit burimor, ruajtja e zërit autentik dhe emocionalitetit të autorit, kultivimi i një qasjeje krijuese ndaj përkthimit, përshtatja e tekstit të përkthyer me karakteristikat kulturore dhe mentalitetin e vendit të gjuhës së synuar. Kjo vetëkupton që përkthyesi të jetë në gjendje të krijojë po ashtu një lloj forme të veçantë arti. Që mund të jetë autentik në mënyrën e vet. Andaj, përkthyesi ndjen kënaqësi sa herë që libri i një autori  të madh që ka përkthyer gjendet në duart e lexuesit në gjuhën e tij dhe këtë e kupton si një mburrje që puna e tij, dhe arti i transformuar i përkthyer mbart qasjen, gjenialitetin dhe mjeshtërinë e vetë atij në këtë proces. A nuk e dimë këtë edhe nga shqipërimet e Nolit, të Konicës, Kokonës, e të tjerëve përkthyes të shkëlqyer që ka pasur tradicionalisht kultura shqiptare. Një përkthim i mirë paraqet një sfidë të vërtetë krijuese që sjell këtë kënaqësi si gjatë procesit ashtu dhe gjatë prezentimit të produktit final…

  • Keni përkthyer fjalimet e nobelistëve të letërsisë nga fillimet e deri më sot.

Është një projekt kapital i cili pritet të botohet në këtë vit. Çka do të dallonit nga këto fjalime?

Qëllimi ishte t’i sillja lexuesit shqiptar një prezantim kronologjik të fituesve të Çmimit letrar prestigjioz ndërkombëtar të Nobelit, që nga themelimi i tij, më 1901 deri më 2016. Ky prezantim përmban fjalët që mbajtën laureatët e Nobelit më rastin e marrjes së Çmimit, në Stokholm, ligjëratat e tyre mbi letërsinë para publikut të Nobelit, apo, në raste të mungesës të tyre në ceremoni, fjalët e prezantimit të veprës së tyre nga kritikë letrarë apo akademikë të Akademisë Suedeze. I mahnitur nga  disa  prej fjalëve më elitare akademike që mund të ketë, leximin tim të kësaj pjese  të veprimtarisë krijuese të shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar dhe të këtij shekulli mendoja se do të kishte rëndësi që kjo pasuri e kulturës  botërore të prezentohej në formë të një libri që do të shërbente jo vetëm për studiuesit e letërsisë, studentët që studiojnë letërsinë botërore, por edhe për admirues të letërsisë në përgjithësi, lexuesit shqiptar.  

Çmimi Nobel për Letërsi ndahet çdo vit për një autor, nga cilido vend i botës, që, sipas fjalëve në testamentin e Alfred Nobelit, ka krijuar “veprën më të veçantë me prirje idealiste për njerëzimin”.  Duke filluar që nga viti 1901, Komiteti i Nobelit ka ndarë gjithsej njëqind e tre shpërblime, duke dështuar në dhënien e këtij çmimi gjatë viteve të të dy luftërave botërore. Me këtë, Komiteti i Nobelit është shndërruar në njëfarë lloj “tribunali kozmopoliten të letërsisë”, që veçon të arriturat më të mëdha letrare në botë gjatë një viti të një shkrimtari, apo të figurave të mëdha të letërsive kontinentale dhe atyre që kanë një pozitë ndikuese në letërsinë botërore.  

Ideali i Çmimit Nobel për Letërsi ka qenë i padiskutueshëm. Që nga themelimi i tij, ky çmim shpërblen letërsinë e mbarë botës dhe ka përfshirë një numër të madh emrash, nga të gjitha kontinentet, shkrimtarë të veçantë dhe emra të mëdhenj të krijimtarisë letrare. Por, ndonëse ka arritur ta ruajë namin dhe prestigjin e vet, ai gjithashtu ka qenë shpesh edhe nën tehun e kritikës për lënien jashtë të një numri të madh të emrave të mëdhenj të letërsisë botërore. Në këtë antologji do të gjeni emra të njohur dhe më pak të njohur, por nuk do të gjeni edhe emra të gjenive letrarë si Prust, Kafka, Rilke, Tolstoj, Mandelstam, Garcia Lorka, etj., si dhe (ende jo) të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, i cili me vite të tëra ka qenë kandidat për këtë Çmim të madh.

Standardet e ‘Nobelit’ kanë një kërkesë të përgjithshme për kandidatin potencial dhe veprën e tij “që i ka dhënë kontributin më të madh njerëzimit” dhe për letërsinë “që ecën në një drejtim ideal”. Kritere të tjera përfshijnë, “stilin madhështor”, “preokupimin universal”, “punën prej pionieri” dhe “letërsinë për tërë botën”. ‘Nobeli’ nuk e ka hedhur poshtë as standardin e pashkruar, atë të “integritetit politik” që përmendet shpesh në arsyetimet për laureatët, me shpjegimin se kjo nuk do të thotë edhe parapëlqim i orientimit politik të kandidatëve të caktuar. Por, bota sot është aq e ndërlikuar dhe e polarizuar sa të mos merret parasysh ky standard i fundit, nga që konsiderimi i aspektit politik vërehet lehtë në historinë e preferencës së Komitetit të Nobelit. Sa për ilustrim, numri më i madh i novelistëve për letërsi vijnë, s’do mend, nga  kultura të mëdha, si SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Suedia. Pjesa tjetër e fituesve janë kryesisht nga vende perëndimore, me një numër të vogël të përfaqësuesve nga kontinente dhe vende jashtë-perëndimore.

Nga fjalët më impresionuese të kësaj morie ligjërimesh dhe mendimesh brilante janë patjetër ato të Salvatore Kuazimondos, Nadine Gordimerit, Oktavio Pazit, Gabriel Garcia Markezit, Hainrih Bellit, Pablo Nerudës, Albert Kamysë, Elias Kanetit, nga shkrimtarët, të Zhan Pol Sartrit, Bertrand Raselit, Uinston Çërçillit dhe të tjerëve, nga mendimtarët. Fjalë të spikatura  për letërsinë dhe mjeshtërinë e të shkruarit janë edhe ligjëratat e Patrik Modianos, Orhan Pamukut, Uilliam Batler Jejtsit, Xhon Stainbekut, e të tjerë…

Sidoqoftë, prezantimi i laureatëve të Nobelit, në një botim të veçantë i ofron lexuesit shqiptar mundësinë për t’u njohur më për së afërmi me ata që me fjalën e tyre letrare lanë vulë në thesarin e kulturës botërore. Disa nga fjalët e tyre në ceremoninë e marrjes së Çmimit Nobel, jo vetëm që paraqesin shembuj të elokuencës dhe mendimit të krijuesve të mëdhenj, por përbëjnë edhe pjesë të perlave të vërteta të krijimtarisë së tyre. Kjo edhe ka qenë arsyeja që ato po i prezantohen lexuesit tonë në një formë të këtillë të përmbledhur libri. Dhe, siç thatë, shpresoj për një vazhdim të këtij prezentimi në përgatitjen e një edicioni të dytë në dy vëllime, që do të përfshinin nobelistët deri në vitin 2022. Këtë jemi duke e realizuar në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës…

  • Nga librat e shumtë që keni përkthyer nga anglishtja në gjuhën shqipe, cilat prej tyre do t’i dallonit si më të veçantat?

Romani i nobelistit amerikan Saul Bellow, “Në hap me kohën”, kryevepra e kritikës letrare e Northrop Frajit, “Anatomia e kritikës”, poezitë e Eliotit, tregimet e Foknerit, etj. Pastaj vijnë tregimet e Heminguejt dhe pjesë nga krijimtaria e poetëve amerikanë. Ishte jashtëzakonisht me interes përkthimi i një poezie të poetit të madh anglez Edmund Spenser mbi Skënderbeun dhe i romanit të autorit kanadez Kris Evert dedikuar kryetrimit shqiptar Skënderbeut, etj.

Kemi, madje disa libra e shkrime interesante të llojit të udhëpërshkrimeve dhe aventurierë, si “Majat e Shalës”, “Zbulimi i lirisë” dhe korrespondencës së saj  nga  Tirana nga fillimi i shekullit të kaluar, i autores, mike e madhe e shqiptarëve, Rose Uajlder Lein, dhe të udhëshkrimeve nëpër  viset shqiptare të mikut tjetër të shqiptarëve, Lordit anglez Obri Herbert (Aubrey Herbert), sidomos të disa poezive të tij, ndër të cilat edhe një poezi  e veçantë, të panjohur më parë, “Shqiptari në Jemen”, kushtuar mikut dhe shoqëruesit të tij shqiptar, Qazim Kaculi, etj. Po ashtu, disa fragmente të Mis Edith Durhamit mbi jetën e shqiptarëve…

Në këtë kuadër hyjnë edhe përkthimet e disa prej librave e shkrimeve të autorëve shqiptarë, si ato to Faik Konicës të shkruara dhe botuar në anglisht (“Shqipëria – Kopësht Shkëmbor i Europës Juglindore”), të Fan Nolit, përfshirë edhe “autobiografinë” dhe pjesë të memorandumeve, ligjëratave dhe korrespondencave të tij, që kanë qenë pak të njohura për kulturën shqiptare, si dhe ato të Vaso Pashë Shkodranit, etj.  

  • Çka do të thoshit për angazhimin tuaj në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës, kur në një periudhë të vështirë keni qenë drejtues i gazetës së përditshme, e cila botohej në Kosovë?

Si shumëçka në jetën e dy dekadave të fundit të Kosovës para dhe  gjatë luftës edhe gazetaria ishte unike dhe e pashembullt në përvojën saj.  Gazetaria e Kosovës, e cila përpëlitej mes presioneve të mëdha të sistemit komunist por edhe të trysnisë serbe, që mbizotëronte në ish-Jugosllavi dhe përpjekjeve për të kryer misionin e vet, ndonëse në hapësirë të kufizuar të lirisë profesionale, arriti më në fund të identifikohej me lexuesin, popullin e vet, në rrugën për liri dhe demokraci. Ajo shpesh, edhe në ato kushte, madje u bë udhërrëfyese duke i dhënë një dimension të ri të pashembullt gazetarisë që vështirë do të gjendet në analet e gazetarisë botërore. Gazetarët shqiptarë, si dhe pjesë të tjera të shoqërisë kosovare u bënë objekt i represionit, përndjekjes dhe një stigmatizimi të veçantë nga pushteti dhe politika serbomadhe. Në përpjekjet antishqiptare të politikës hegjemoniste serbe gazetarët u targetuan si një pengesë që duhej mënjanuar. Pse ishte  kjo? Gazetarët kudo dhe  kurdo, sidomos gjatë viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta në Kosovë po përpiqeshin, në mundësitë e veta të gjymtuara dhe të një censure të tmerrshme të ofronin një opinion të drejtë jozyrtar duke iu përkushtuar prezentimit të së vërtetës në opinionin publik. “Lajmi” i shtypur atëbotë u shndërrua në një funksion në jetën e njerëzve. Si të tillë, gazetarët e “Rilindjes”, si ditore e vetme, gjatë fundit të viteve të tetëdhjeta dhe viteve të nëntëdhjeta u siguronin njerëzve informacionin më të mirë të mundshëm në dispozicion, që kishte një ndikim të madh në formësimin e opinionit të përgjithshëm kosovar për të gjitha aspektet e jetës politike dhe shoqërore.

Në këto përpjekje, ne gazetarët e botimeve shqipe dhe të medias elektronike u gjendem edhe përballë sifdave të kohës: të përpjekjeve për të krijuar medie të pavarura dhe profesionale, duke u mbështetur në parimet e fjalës së lirë dhe të së vërtetës. Edhe në ato rrethana të pushtimit dhe represionit të pandalur serb, gazetarët tanë filluan të kultivonin një gazetari të pavarur duke sfiduar  hapur diktatin dhe censurën. Andaj, regjimi serb mori masa ndëshkuese, duke mbyllur Radiotelevizionin e Prishtinës dhe pastaj gazetën e vetme të përditshme shqipe në Kosovë, “Rilindjen”. Përgjigja jonë ishte ajo e mospëruljes. Ajo e vazhdimit të informimit të opinionit në Kosovë përkundër presionit të vazhdueshëm që ishte shndërruar në kërcënim. Kjo qe alternativë e vetme dhe asnjëherë e mëdyshur. Vazhduam botimin e gazetës me një surrogat me emër aspak tipik për një gazetë ditore “Bujku”, një botim tani me mision të informimit të përditshëm e që në “vitet normale” preokupohej me problemet e bujqësisë. Kjo ishte denigruese për vazhdimin e një gazete me renome siç ishte “Rilindja”, që në një kohë, kishte arritur tirazh prej mbi 300 mijë kopjesh në ditë, por kjo atëbotë ishte zgjidhje e vetme. Shfrytëzuam shkronjën e madhe “B” në ballinë për të simbolizuar, siç e quanim  “Rilindjen B”, dhe e botuam atë si të përditshme, si një gazetë gjysmë-klandestine që ndalohej dhe anatemohej nga pushteti pushtues serb në çdo hap.

Kështu, si gazetarë dhe si gazetari që doli jashtë kontrollit të regjimit, u bëmë pjesë e lëvizjes së përgjithshme, bashkë me popullin e Kosovës, si lloj i një “gazetarie të rezistencës” së përgjithshme në Kosovë. Kjo ishte një periudhë e rëndë për tërë gazetarinë dhe gazetarët kosovarë. Si drejtues i “Bujkut”, në atë kohë, ashtu si dhe redaktorët dhe gazetarët, u ballafaquam në baza ditore me dhunën serbe. Isha marrë dhe kërcënuar disa herë nga regjimi serb për gjërat që botonim në gazetë, ndërkohë që shumë nga gazetarët tanë të terrenit dhe korrespondentët që “mbulonin” të gjitha anët e Kosovës ishin rrahur, maltretuar, arrestuar, plagosur, madje edhe vrarë. Madje, deri në momentin kur arritëm të rifillonim botimin e “Rilindjes” në Zvicër dhe në Tiranë gazetarët tanë nuk merrnin fare paga, ose merrnin paga simbolike. Por, nuk kishte asnjë hezitim në këtë: t’i dilej krah  së vërtetës së  Kosovës dhe informimit objektiv të opinionit  kosovar meritonte çdo sakrificë.

Por, sidoqoftë, mendoj se kjo është po aq periudha më e lavdishme e gazetarisë kosovare në historinë e saj. Ndonëse proceset  dhe zhvillimet e një gazetarie të lirë dhe plotësisht të pavarur do të spostoheshin për më vonë në Kosovën e lirë dhe të pavarur, ne mbeteshim luftëtarë të së vërtetës në sfidimin e  territ informativ dhe zë i rrallë i Kosovës në opinioni botëror lidhur me atë që ndodhte në Kosovë. Në masën më të madhe, gazetarët kosovarë janë meritorë për informimin e opinionit botëror me tërë atë që po ndodhte në Kosovë dhe që po përgatitej kundër shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb. Historia e Kosovës e dekadave ‘80 e ‘90 të shekullit të kaluar mund të gjendet e plotë vetëm në faqet e “Rilindjes” (“Bujkut”). Informacionet e “Bujkut” (“Rilindjes”) shërbenin për botimin e Informatorit të QIK-ut, por edhe të gazetave dhe revistave të tjera që filluan të botoheshin, në kushte po aq të rënduara në Kosovë. Kjo dëshmohet në përmbajtjet gazetareske të asaj kohe. Unë vetë mbaja një kolumna çdo të shtunë lidhur me tematikën kryesor të javës dhe  mendoj se ato paraqisnin një pikëpamje që shprehte ndjenjën e përgjithshme të publikut. Shpresoj që ato kolumna, shkrime dhe kronika të tjera të kohës t’i mbledh dhe t’i botoj në një libër të veçantë një ditë.

Ndërkaq, duke mos u ndalur në sfidën tonë të përditshme për mbijetesë, bëmë edhe përpjekje të tjera të admirueshme që tejkalonin punën e një redaksie të një gazete të përditshme. Paradoksalisht, gjatë asaj kohe ne nxorëm në dritë disa prej veprave të rëndësishme të kulturës sonë: kompletet e veprave të Fishtës, Konicës, Koliqit, e shumë vepra të autorëve individualë nga Kosova e Shqipëria. Ky ishte një kontribut që mbulonte një hapësirë tjetër që kishte mbyllur pushtimi serb, atë të botimeve në gjuhën shqipe…        

Gazetaria kosovare në atë kohë lozi një rol të fuqishëm edhe në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe trasimin e rrugës së pavarësisë. Shumë procese filluan në “Rilindje” dhe influencuan zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë. Ka disa raste kyçe në këtë drejtim, që rrinë të shënuara në analet historisë së asaj periudhe. Andaj, nuk është hiperbolizuese të thuhet se  gazetarët kosovarë dhe gazeta jonë u bënë nga më të urryerit në sytë e pushtuesve  serbë. Ai regjim nuk ia  fali kurrë këtë “Rilindjes”, jo vetëm për kundërvënien në periudhën e pushtimit, por edhe për tërë periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, që mbajti e ushqeu kulturën, arsimin dhe informimin shqip. Ka ndodhur  që milicia serbe t’i detyronte lexuesit e rëndomtë tek të cilët do të hasej gazeta “Bujku” që ta hanin atë! Dhe, reperkusione të tjera të përditshme. Kjo ishte gazetaria jonë e asaj kohe. E kërcënuar, e rrahur, e persekutuar – por këmbëngulëse dhe e paepur.  

Por, atë që nuk arriti ta bënte Serbia duke dënuar “Rilindjen” “me vdekje, u bë nga vetë pushtetet tona të pas luftës. “Rilindja” pushoi së ekzistuari në kushtet e lirisë së plotë dhe gazetarët e saj u “anatemuan”.  Gazetarë e “Rilindjes” nuk morën kurrë ndonjë falënderim apo mirënjohje. Në mesin e afro 100 gazetarëve që Presidenca e Kosovës i kishte dekoruar, në mesin e tyre nuk kishte asnjë gazetar të “Rilindjes”. Ata ngelën në rrugë për  t’u gjetur siç mundnin dhe madje ata ngelën edhe pa pensione. Qeveritë tona të pasluftës vendosen se ata që kishin refuzuar diktatin dhe që nuk kishin pranuar të punonin nën regjimin serb nuk do të mund  të llogarisnin në vitet e punës së kryer gjatë kësaj periudhe. Pas  luftës, “Rilindja” u mbyll dhe me të u shua një traditë e vjetër me dekada. Gazetaria kosovare ngeli pa të kaluar. Pallati i Shtypit u mor dhe u shit, por gazetarët e “Rilindjes” u deprimuan nga 20 përqindëshi i pasurisë së tyre. Gazetarët dhe punëtorët e gazetës serbë dhe të tjerët u “shpërblyen”, ndonëse kanë qenë zëdhënës të makinerisë së luftës dhe gjenocidit të regjimit serb. Gazetarëve të “Rilindjes” iu mohua njohja e stazhit të punës dhe ata përfunduan me një pension prej 100 eurosh, sikur të mos kishin punuar asnjëherë. Ata  që kishin ngelur dhe kishin punuar nën masat e  dhunshme dhe nën diktatin e serbëve dhe kundër interesave të shqiptarëve morën njohjen e plotë të stazhit të punës dhe pension të plotë nga vetë qeveritë tona.

Si mund të shpjegohet kjo, unë s’e kuptoj dot, aq më tepër nga që çdo qeveri e pasluftës në Kosovë erdhi në pushtet mbi platforma patriotike dhe kombëtare dhe ky gjest i tyre kundër gazetarëve të “Rilindjes” nuk ishte aspak një akt patriotik! Vështirë të gjendet një shpjegim i arsyeshëm lidhur me këtë…     

  • Keni udhëhequr shumë institucione të rëndësishme mediale në Kosovë, në pozicionin e kryeredaktorit dhe të drejtorit të Televizionit të Kosovës dhe të Radios. A mund t’i përmendni disa nga sfidat dhe rezultatet?

Fati ka dashur që si gazetar të sprovohesha si në mediet e shkruara, ashtu dhe në ato elektronike. Kisha punuar në gazetë, në QIK gjatë luftës, duke botuar Raportin Ditor nga Kosova në shqip e anglisht, në revista e periodikë të kohës.

Kur prania ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës vendosi t’i krijojë Kosovës një transmetues sipas modelit të BBC-së në Kosovë, u bëra pjesë i ekipit që udhëhiqej nga ndërkombëtarët, duke u bërë kryeredaktori i parë “vendor” i tij. Kisha bindjen se çdo gjë që po krijohej tani në Kosovë mbështetej në bazë të fortë të parimeve mbi të cilat qëndron shoqëria perëndimore demokratike, mes së cilash ishte edhe media dhe fjala e lirë. Paramendoja se Radiotelevizioni i Kosovës do të ishte një ditë një shërbim i respektuar publik i transmetimeve në Kosovë, ngjashëm me ato të vendeve të tjera demokratike. E dija se ky ishte një mision dhe ndonëse bënim përpjekje për të konsoliduar atë, ishim të detyruar të punonim me një personel të kufizuar gazetarësh dhe teknikësh, ndonëse ish-punëtorët e Radiotelevizionit të Prishtinës mbetën jashtë projektit. Me përpjekjet tona të përbashkëta me stafin ndërkombëtar arritëm të kthenim në punë pjesën dërmuese të stafit  të kualifikuar të  ish-RTP-së, sidomos të nivelit teknik, por edhe atij të gazetarëve, producentëve dhe stafit produksional. Filluam me 2 orë program televiziv, në një kohë kur akoma stafi ndërkombëtar, ngurronte të pranonte “kreditet” e prodhuesve të programit, me emrat e redaktorëve, gazetarëve dhe producentëve lokalë që prodhonin program që nuk dilnin asnjëherë në ekran. Kjo ndodhi më vonë, kur u verifikua puna jonë profesionale, pas  disa muajsh kur edhe morëm plotësisht në duar përgjegjësinë për menaxhimin e televizionit dhe të skemës programore. Ishte një kremte e vërtetë kur në siglat e televizionit kaluan emrat e redaktorëve dhe gazetarëve tanë, që i bëri të njohur publikut se ky ishte një radiotelevizion i vërtetë publik i Kosovës me baza të forta të profesionalizmit të vendosura nga ekipe profesionale të BBC-së dhe kuadrot vendore.  

Nuk mund  të them se kjo periudhë e bashkëthemelimit të RTK-së ishte një punë pa vështirësi dhe sfida. Nga  2 orë program kaluam në 4 e më vonë në 12 e më në fund me program gjithëditor. Ishte koha kur u emërova drejtor i Televizionit dhe i kisha duart e lira të dëshmonim punën tonë profesionale. Më vonë, kalova si drejtor i Radios. Ishte një  gjë e mrekullueshme të punonim pa censurë dhe pa kufizime pas një periudhe të  gjatë dhe të vështirë të punës gazetareske në kushte pushtimi. Ky ishte një premtim për Kosovën që u kurorëzua me një transmetues serioz publik për shtetin e ri të Kosovës, si pjesë e transmetuesve publikë europianë. Të gjithë ata që morën pjesë në këtë projekt kanë qenë të privilegjuar të ishin pjesë e një storje suksesi në Kosovën e pasluftës.

  1. Çfarë mund të na thoni për publicistikën dhe gazetarinë sot, kur nuk kemi asnjë gazetë të përditshme që botohet në Kosovë?

Ditën kur Kosova u bë vendi i parë pa shtyp të shkruar, pa gazeta, në rruzullin tokësor, “modernistët tanë primitivë”, për të dëshmuar se sa larg kanë shkuar kosovarët në emancipimin e tyre me mediet në telefonat tanë të mençur digjitalë, nxituan  të dilnin me lëvdata të këtij lloji: “Kosova e para në botë pa gazeta”, “Një epokë e  re e gazetarisë”, “Hap i madh” dhe “Një dëshmi se globalizmi ka lëshuar rrënjë tek ne”, etj. Ky “argument” do të mund të përdorej edhe në rast se një ditë ne vendosim të mos shtypim më libra, me  arsyetimin “valid” se tani ato mund t’i lexojmë “online”! Ndoshta kjo edhe do të ndodhë, në një të ardhme, ndërkohë që gazetat ditore në formë të shtypur vazhdojnë të mbijetojnë me impakt të konsiderueshëm në të gjitha vendet e botës, nga SHBA-ja e deri në Afrikë të Jugut, nga Johanseburgu e  deri në Stokholm, nga Ankaraja e deri në Paris. Po ashtu edhe në fqinjësi. Ndonëse sot gazetat botohen me tirazh të reduktuar, natyrisht, ato vazhdojnë të jenë pjesë e një tradite dhe kulture ndryshe të informimit. Asnjë vend në fqinjësinë tonë nuk “hoqi qafet” gazetat me aq lehtësi dhe është  për keqardhje ky nivel  “emancipues” i shoqërisë kosovare, që nuk ka më nevojë për shtypin e shkruar dhe  as  respekt për atë që kanë krijuar gjeneratat.

Ndërkaq, përtej nostalgjisë ndaj rutinës së përditshme me gazeta, që ishte dikur pjesë e kulturës së jetës, gazetaria përgjithësisht ka pësuar  ndryshime të mëdha: ajo ka përfituar ca gjëra dhe ka humbur disa të tjera. Lajmi tani është më i shpejtë, mundësia e transmetimit pothuajse e atypëratyshme dhe e lehtë, kurse përditësimi i lajmit i mundshëm në çështje minutash. Qasja e lajmit është e lehtë dhe universale, gjithëpërfshirëse dhe joekskluzive. Teknologjia ka bërë të mundshëm informimin e përnjëhershëm nga çdo skaj i botës, me mundësi transmetimit të drejtpërdrejtë nga cilado pjesë e vendit dhe e botës, gazetarët janë të pajisur me teknologji lehtësisht të zotërueshme dhe  shumë efektive. Platformat e mediave sociale si Facebook, Instagram, Twitter dhe shumë të tjera po u ofrojnë njerëzve mundësinë për t’u lidhur me njëri-tjetrin në distanca. Me fjalë të tjera, e gjithë bota është në kontakt të përhershëm falë mediave sociale dhe revolucionit teknologjik. Veçanërisht, janë të rinjtë ata që kalojnë orë të tëra me telefonat mobilë në duar duke konsumuar materiale të llojeve nga më të ndryshmet mbi çdo temë të mundshme…

Kohët moderne kanë sjellë ndryshime marramendëse dhe mediet e shkruara po bëhen ngadalë një mjet i së djeshmes, ndonëse profesionalizmi i tyre mund të diskutohet: a janë sot informacionet e mediave “online” më të besueshme dhe më kredibile sesa ato në medie  të shtypura? Temë për  debat dhe kundërshti.

Ndonëse, cilësia profesionale e mediave digjitale mund të konsiderohet në rënie: mundësia e manipulimit me lajmin, “lajmet e rrejshme”, ato të paverifikuara apo qëllimisht të shtrembëruara, mbarështime të mangëta pa konsideratë për parimet bazë të gazetarisë janë një përsëritje e përditshme në “mediet sociale digjitale”. Sot, kultivohet pothuajse vetëm lajmi dhe informacioni i shkurtër dhe i shpejtë, ndërkohë që zhanret e tjera, tradicionalisht më të sofistikuara e më të komplikuara të gazetarisë janë tretur apo janë modifikuar  për  t’iu përshtatur epokës së re. Tani, ku është sharmi i një reportazhi të mirë, një udhëpërshkrimi të bukur, i një shkrimi që kënaqte lexuesin me bukurinë e të shkruarit të veçantë, etj. Mua ky kalim i shpejtë nga gazetaria tradicionale në “gazetari digjitale” dhe atë “telefonike”, më duket i debatueshëm, se nuk siguron hapësirë të mjaftueshme për zhanre dhe shkrime serioze të gazetarisë. Publicistika jonë është reduktuar në shkrime të shkurtra pa strukturë dhe pa përmbajtje adekuate, kurse eseistika në hartime të shkurtra, lehtësisht të qasshme, por pa skeletin e bukurisë së shkrimit tradicional.

Stili emocional i publicistikës në trajtimin e fenomeneve, madje edhe  në literaturën politike siç prezentohej në medie – gazeta, revista, radio, televizion dhe filma dokumentarë, ishte një formë e vlerësuar e shkrimit në trajtimin e një game të gjerë temash të politikës, ekonomisë, kulturës, të jetës së përditshme, ngjarjeve aktuale, etj. Tani ka një stil të shkruari më të drejtpërdrejtë me jo shumë emocion, pa ngjyrë dhe pa përshkrime atraktive për të afruar  lexuesin. Nuk është se  publicistika ka pësuar rënie të madhe, por se ka një trajtë tjetër dhe jep  një tjetër “kënaqësi” të të shkruarit dhe lexuarit. Në Kosovë ka pasur disa eseistë të njohur dhe ky zhanër, megjithatë, vazhdon akoma të jetë i pranishëm si lloj shkrimi në  diskursin tonë publicistik. Ka një duzinë emrash të njohur në publicistikën tonë që vazhdojnë ende të mbajnë gjallë traditën e shkrimit të bukur publicistik dhe eseistik. 

  1. Çka do të thotë të jesh diplomat?

Angazhimi im diplomatik nuk erdhi rastësisht: në “Rilindje” kisha filluar si gazetar e reporter në Redaksinë e Jashtme, ndërkohë që kalova katër vjet si korrespondent i gazetës në selinë e OKB-së në Nju-Jork. Kjo qe një mundësi për mua që të mësoja se si vepron makineria e diplomacisë botërore, si merren vendime, si përfaqësohen vendet, si bëhet diplomacia bilaterale e ajo multilaterale, çfarë janë marrëdhëniet ndërkombëtare, etj. Gjatë viteve të ‘90, po ashtu, u bëmë “diplomatë” pa qenë të tillë faktikisht. E kërkonte koha që ne të trokisnim në dyert e kancelarive botërore për të bërë të njohur çështjen e Kosovës. Gjatë asaj periudhe shoqërova ish-Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova në të gjitha takimet e tij kryesore në qendrat e vendosjes në Europë e Amerikë. Mësova për së afërmi, i angazhuar drejtpërdrejtë në takime të niveleve të larta, se cilat ishin praktikat dhe maniret e diplomacisë, si duhej të sillej një diplomat i mirë dhe cila ishte gjuha diplomatike që duhej të përdorej në takime me interlokutorët e huaj. Kjo ishte një shkollë e vërtetë e diplomacisë e mësuar në praktikë dhe në kontakte të drejtpërdrejta.

Diplomacia për mua u shndërrua në një vokacion menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, kur u dekretova nga ish-Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu si I Ngarkuar me Punë e më vonë  si Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Kosovës  në Uashington. Unë isha në mesin e dhjetë diplomatëve të parë të Kosovës të ngarkuar për të hapur përfaqësitë e para që Kosova kishte pasur ndonjëherë në historinë e saj, tani si shtet i ri dhe demokratik, në qendrat botërore. Ky qe për mua një privilegj i veçantë dhe një sfidë e këndshme. Mendoj se këtë detyrë unike e kemi kryer me sukses, duke shtuar një gur në ngrehinën e raporteve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara. Më vonë shërbeva si ambasador në Turqi-Ankara  (për tetë vjet) duke qenë edhe ambasador jorezident në Jordani dhe Pakistan…

Si ambasador karriere, në misionin tim të parë në kryeqytetin amerikan, Uashington, shpesh mendoja nëse do ta ndjeja mungesën e shkrimit si një gazetar që ishte mësuar të jetë gjithmonë pranë kompjuterit apo me laps në dorë për të marrë shënime, për të raportuar dhe për të shkruar. Dhe, siç do të mësoja shpejt nga përvoja, përgjigja ishte jo, nga arsyeja e thjeshtë se gazetaria plotëson diplomacinë dhe përbën një përvojë të dobishme për diplomatin e ardhshëm. Po, për më tepër, edhe diplomatët kanë lindur me laps në dorë. Ata janë të detyruar të shkruajnë vazhdimisht raporte, analiza, nota diplomatike, shkresa, parashtresa dhe kabllograme, gjatë tërë kohës së shërbimit të tyre, andaj dhe të shkruarit është pjesë e përditshmërisë së tyre. Ndonëse, mënyra e shkrimit mund të ndryshojë, edhe diplomatët mëtojnë, herë-herë që raportet e tyre të mos jenë thjesht rreshtim i të dhënave dhe informacioneve, por që të përmbahen me thellësi, me hartime më të zgjeruara, me prirje publicistike, ndonëse ata që i lexojnë këto raporte nuk janë pos një grusht njerëzish në ministri, jo të prirur për lexim të thellë, por me edukatë burokratike, të cilëve iu intereson vetëm informata.

Si pjesë e jetës moderne informative, edhe diplomatët bëjnë analiza koncize, siç e bëjnë këtë edhe gazetarët, por ndryshimi është se diplomatët nuk i dorëzohen dot imagjinatës gazetareske në raportimet e tyre të përditshme. Raportimet diplomatike, pos në raste të rralla, janë tekste të thata, pa emocione, pa zbukurime apo ekzagjerime, shpesh patetike dhe vështirë të lexueshme nga lexues të thjeshtë. Ato i dedikohen një publiku të ngushtë për konsumim profesional dhe për qëllime utilitare. Vetëm në raste të rralla, një diplomat do të bëjë ndonjë përshkrim më të gjerë, që do t’i ngjajë një shkrimi gazetaresk. Serioziteti dhe theksimi i peshës së çdo fjale të shkruar dhe të raportuar përbën thelbin e raportimit diplomatik.

Gazetaria dhe diplomacia nuk janë domosdoshmërisht në kundërshti. Përkundrazi, një diplomat i mirë zakonisht ka një sfond publicistik apo të angazhimit publik. Diplomacia mund të definohet si mundësi për të shfrytëzuar rrethanat sa më mirë që është e mundur për realizimin e interesit mbi nevojat vendore dhe, në esencë, kjo kërkon mjeshtëri komunikimi, që në njëfarë mënyre është forma bazike e diplomacisë. Diplomacia është gjithashtu art i krijimit të miqësisë, siç është edhe art i kureshtjes… Ajo është po ashtu mjeshtëri e krijimit të raporteve personale që inkurajojnë zgjimin e një interesi individual apo kolektiv të politikës dhe opinionit në që të dy anët. Diplomacia kërkon talent, si dhe respektim strikt të rregullave dhe të udhëzimeve që shërbejnë në komunikim dhe njohje sa më e mirë e rrethanave në vendin ku shërben si dhe nivel i duhur i të kuptuarit të çështjes me të cilën jeni të preokupuar.  

Diplomacia kërkon përgatitje solide. Asgjë nuk mund të zëvendësojë përgatitjen dhe studimin e thellë të çështjes për të cilën jeni të interesuar. Më rastiste të flisja mbi historinë dhe kulturën shqiptare përgjithësisht dhe të Kosovës veçanërisht, mbi proceset e vështira nëpër të cilat kishim kaluar si komb i ndarë dhe historinë e Kosovës në njëqind vjetët e fundit, si dhe përpjekjet e saj deri te pavarësia. Doja që bashkëbiseduesit të kuptonin thelbin e historisë së Kosovës dhe arsyen, përpjekjet dhe zhvillimet që i paraprinë  pavarësisë së shtetit të Kosovës. Shpjegoja konstelacionin historik, si të pashmangshëm dhe të domosdoshëm për të kuptuar të kaluarën e saj, pa të cilin nuk do të kuptohej e sotmja dhe nuk do të mund të ndërtohej e ardhmja. Shpesh filloja këtë diskurs lidhur me atë se si u bë shteti i Kosovës, duke vënë në spikamë vështirësinë e krijimit të tij, të kufizuar me të pamundurën…

Veçoritë e komunikimit diplomatik karakterizohen me komunikim të përmbajtur dhe të padëmshëm, me fleksibilitet, formulim të veçantë dhe qasje pozitive. E tërë kjo lidhet me konceptin e të qenit me takt. Ky është një tipar personal që disa njerëz e kanë të natyrshëm, por që të gjithë mund ta zhvillojnë me përpjekje të mjaftueshme. Takti në diplomaci konsiderohet virtyt dhe është një formë e diplomacisë ndërpersonale dhe ne përpiqeshim që të gjitha këto t’i kishim parasysh…

           Përfundimisht, të shërbesh si diplomat i vendit tënd, për më tepër si njëri ndër diplomatët e parë, paraqet një privilegj të jashtëzakonshëm që nuk e ka gjithkush. Është një përvojë e pasur e përshkuar me një kënaqësi të qartë duke parë se si i kontribuoni vendit tuaj dhe imazhit të tij në komunitetin diplomatik ndërkombëtar. Shpesh lexoja për përvojat e Konicës si Ambasador i Shqipërisë në Uashington dhe nuk mund të besoja se do të isha unë që do të lozja një ditë të njëjtin rol. Ndonëse të bëhen krahasime me staturen e  njeriut të madh të letrave dhe diplomacisë shqiptare nuk më  duket modesti. Unë e kam fjalën për peshën e  postit që m’u besua dhe që u përpoqa ta kryeja me faqe të bardhë… 

  1. Cili është raporti në relacionin intelektuali-diplomat?

Shumë diplomatë, në shumë pjesë të botës, përvojat e tyre diplomatike i shndërrojnë në libra, kur të kenë mbaruar misionin e tyre, apo edhe gjatë kohës së shërbimit, me kusht që të mos cenohet konfidencialiteti i punës së tyre profesionale. Diplomatët krijues (intelektualë) janë jo vetëm përfaqësues të denjë të vendeve të tyre por, për më tepër, kanë qenë edhe transmetues të vlerave kulturore të popullit të tyre. Krijimtaria, ndërkaq, është një dividend i rëndësishëm për një ambasador apo diplomat që shërben në një vend. Sidomos, ata shquhen në diplomacinë kulturore. Duke ndjerë mungesën e  shoqërimit me botën intelektuale në vendin e tij, diplomati-intelektual krijon relacione intelektuale me audiencat e tij të reja në vendin e huaj. Ai ndjen nevojë për të komunikuar me këto qarqe të reja intelektuale duke u njohur me përvojat e të tjerëve dhe me  bartjen e përvojave të veta si veprimtar e  intelektual në vendin e tij. Dhe, këtë përpiqeshim ta  realizonim edhe ne. Ky komunikim intelektual diplomatik merrte forma të ndryshme. Përpiqeshim të bëheshim pjesë e jetës kulturore dhe intelektuale të vendit përmes njohjeve dhe miqësive të porsakrijuara. Bisedoja me njerëz të kulturës dhe artit në kryeqytetin amerikan, por edhe më gjerë dhe kontaktoja me njerëz të shquar të Amerikës dhe me shkrimtarë, përfshirë, ta zëmë, poetin e madh amerikan Xhon Apdajk. Organizuam promovime me studentë shqiptarë në Uashington DC dhe me shoqatat shqiptaro-amerikane për prezentimin e letërsisë dhe sidomos të poezisë që krijohej në Kosovë. Një herë bëra një promovim të librit tim në anglisht dedikuar Fan Nolit dhe shqiptarëve të Amerikës në Qendrën Uilson. Më një rast tjetër, u paraqita në një panel të organizuar në Bibliotekën e Kongresit në Uashington për të folur, së bashku me z. Ilir Ikonomi dhe Prof. Agron Alibali, lidhur me njëqindvjetorin e Shoqatës Panshqiptare “Vatra”. Njëherë tjetër, fola në një shënim të përvjetorit të Nënë Terezës në Kongresin amerikan. Për më tepër, kishim bërë edhe një prezentim të poetëve tanë të njohur, një mbrëmje me poezi, ku merrnin pjesë edhe amerikanë, po edhe përfaqësues të komunitetit diplomatik dhe të mediave lokale. Disa prej poetëve i gjetëm të përkthyer dhe disa prej poezive të tyre i kisha përkthyer vetë në anglisht dhe këtë nuk e bëja për herë të parë. Deklamimin e bënin studentë tanë që studionin në Uashington…   

Diplomacia publike paraqiste për ne një komponentë të veçantë në punën e të gjithë sektorëve të Ambasadës. Misioni ynë diplomatik kishte si objektivë kryesore prezentimin e Kosovës tek auditori amerikan dhe këtë donte ta bënte përmes krijimit të një rrjeti të rëndësishëm dhe kontakteve profesionale me mediet amerikane, think-tank-et, organizatat joqeveritare, por gjithashtu edhe me universitetet dhe institucionet akademike në Amerikë për të komunikuar dhe krijuar një dialog afirmativ me audiencën amerikane. Vizitat e mia anembanë Amerikës zakonisht lidheshin me ligjërata lidhur me Kosovën nëpër universitete apo auditorë më të gjerë. Prezentimi i anës sonë njerëzore dhe shpirtërore, i artit dhe kulturës së Kosovës, për ne paraqiste gjithmonë një kënaqësi të veçantë.

Në një kontemplim më të përgjithshëm, si intelektual nuk mund të mos mendoja se si do të dukej bota, në një vizion të një bote ideale, që intelektualë nga vende të ndryshme në takime diplomatike dhe konferenca ndërkombëtare, të flisnin jo me gjuhë të zgjedhur diplomatike, por me gjuhë të një diskursi të lartë intelektual, duke iu drejtuar njëri-tjetrit me gjuhë të zgjedhur, madje edhe me poezi. Ndonëse kjo është larg mendsh në botën e sotme tepër serioze dhe të zymtë, ky do të ishte një vizion i bukur dhe kontribut për një botë më të paqme. Jo që nuk kishte ndodhur për pak kohë në histori: në oborrin e Anglisë elizabetane kur lulëzonte arti, poezia dhe drama njerëzit ishin aq të entuziazmuar sa që i drejtoheshin njëri-tjetrit me shprehje poetike! Si pjesë virtuale e diplomacisë publike dhe kulturore të çdo vendi, kjo do të mund të matej me vlerën e vërtetë të artit dhe letërsisë në raportet globale, por edhe në raportet dypalëshe. Asetet artistike, letrare, poetike, intelektuale të një vendi, të një letërsie të mirë, do të sendërtonin masën e vlerave të tilla, do të hapnin mundësi komunikimi të jetës mes vendeve a popujve, do të zgjeronin hapësirat komunikuese. Për më tepër, një letërsi e mirë, një art dhe poezi e çmuar, do të mund të sillnin mirëkuptim të ndërsjellë midis popujve. Një diplomat-intelektual do të gjente veten, kënaqësinë dhe prehjen e vet më të madhe në raporte të këtij lloji..

Megjithëqë, ky ishte një iluzion dhe prezentimi i këtij lloji nuk është pjesë e diplomacisë tradicionale dhe nuk do të jetë kurrë. Kjo për ne ishte një mundësi kontakti me auditorin e një vendi të huaj për të shpjeguar kulturën, artin dhe letërsinë që kultivohej në Kosovë. Prezantimi i artistëve, poetëve dhe krijuesve nga Kosova mund të ndihmonte në njohjen më të mirë të Kosovës dhe të popullit të saj në përgjithësi. Kultura, arti, muzika, letërsia, piktura, poezia i kontribuojnë mirëkuptimit midis popujve dhe, në këtë rast të rrallë, të kuptuarit të shpirtit shumë kohë të trazuar dhe përfundimisht të qetësuar të popullit të Kosovës.

Megjithatë, arti dhe kultura janë një shesh i mirë për diplomacinë publike nga që ato lindin nga shpirti dhe mbartin ndjenjat më të fuqishme të një milieu. Një diplomat-intelektual do të gjente veten, kënaqësinë dhe prehjen e vet më të madhe në raporte të këtij lloji…

  1. Jeni takuar më shumë personalitete të shteteve të mëdha botërore që kanë ndikim në rrjedhat e zhvillimit global të shoqërisë njerëzore. Çfarë mund të na thoni nga këto takime ku flitej për Kosovën dhe shqiptarët?

Kisha një përvojë të akumuluar duke qenë shumë vite më parë korrespondent i përhershëm i gazetës “Rilindja” në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, më vonë si këshilltar dhe bashkëpunëtor i Presidentit Rugova dhe si intelektual dhe veprimtar i të drejtave të njeriut. Merrja pjesë në të gjitha takimet diplomatike dhe shkruaja me dhjetëra shkresa, fjalime, materiale lidhur me Kosovën dhe çështjen e saj, krahas punës konstante të përgatitjes së parashtresave dhe shkresave diplomatike drejtuar qendrave të ndryshme të vendosjes. Merrja pjesë në tryeza nëpër qendra të ndryshme europiane që i dedikoheshin çështjes së Kosovës, përfaqësoja Kosovën në takimet e Nënkomisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, në emër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë, por edhe në emër të Presidencës në organizma të ndryshme ndërkombëtare dhe tryeza tematike në Uashington, Kopenhagë, Bruksel, Oslo, Bon, Vjenë, Paris, Romë e qendra të tjera. Shkruaja nota diplomatike në emër të Zyrës së Presidentit, madje edhe organizoja, duke shërbyer madje edhe si përkthyes, konferenca për medie dhe takime të shumta të Presidentit me mediet ndërkombëtare. Në Kosovë prisnim delegacione të niveleve të ndryshme nga Europa e Amerika që vinin pareshtur në Prishtinë për të studiuar gjendjen në vend. Përvoja ime shumëvjeçare si një gazetar që merrej me çështjet ndërkombëtare ishte një ndihmesë shtesë në këtë rrugëtim jo të lehtë.

            Se zgjidhja e çështjes së Kosovës kërkohej duke shikuar nga aleatë të natyrshëm, me një vizion orientues properëndimor dhe prodemokratik në kërkim të një opsioni paqësor dhe dialogues ishte bërë përcaktim fundamental i “diplomacisë së re” kosovare në kuadër të qëndresës së përgjithshme paqësore, dëshmonin paraqitjet e shumta në takimet me qarqet politike europiane e amerikane të veprimtarëve tanë, në forume të ndryshme shkencore, politike e diplomatike ndërkombëtare. Ky qëndrim solli si rezultat jo vetëm njohjen e çështjes së Kosovës dhe të gjysmës së këtejshme të popullit shqiptar në botë, por edhe një prestigj të konsiderueshëm për shqiptarët në Europë dhe në Amerikë, krahas rrënimit total të prestigjit që po përjetonte diplomacia jugosllave e, në shpinë të saj, edhe ajo serbe.

            Diplomacia e re kosovare qe e pranishme ngado: në Kongresin amerikan dhe në qarqet politike amerikane, në Parlamentin Europian, me rezolutat e shumta që njihnin subjektivitetin e Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi, me takimet e shumta deri në nivelet më të larta në vendet e Europës Perëndimore demokratike, në kancelaritë e diplomacisë europiane, në konferencat e OSBE-së dhe në tryeza debatesh të pareshtura ndërkombëtare. …

Në Shtëpinë e Bardhë kisha hyrë shumë herët, si korrespondent i  “Rilindjes në vitet ’80, pastaj në shoqërim të Presidentit Rugova kur  e shoqëroja në vitet e nëntëdhjeta dhe ku kishim takuar në disa raste Presidentin Klinton, Nënpresidentin Gor dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare Anthony Lake. Kam pasur fatin të takoja dhe të shtrëngoja duart me shtatë presidentë të SHBA-së gjatë karrierës sime. Kisha takuar dhe isha përshëndetur me Ronald Reganin, sa isha korrespondent, pastaj si ambasador u takova me Xhimi Karterin, në fermën e tij në White Plains në Xhorxhia dhe me  Xhorxh Bushin – Plakun, këtë të fundit në Bibliotekën e tij në College Station në Teksas, si dhe kisha takuar, më vonë, Xhorxh Bushin e Ri dhe Bill Klintonin, dy presidentët mbështetës të mëdhenj të Kosovës, si dhe Barak Obamën dhe Nënpresidentin Xho Baiden, Presidenti aktual i SHBA-së.

Si gazetar dhe diplomat fati deshi që  të takoja shumë kryetarë shtetesh, kryeministra e ministra, madje edhe mbretër nga të gjitha anët e globit. Kisha  takuar në Nju-Jork Toni Blerin dhe në Londër “Zonjën e hekurt”, Margaret Theçër, në Paris Ministrin Alan Zhype, në Bon ministrin e Jashtëm gjerman Klaus Kinkel, në Stamboll e Ankara kryeministrin Sulejman Demirel dhe më vonë kryeministrin turk Turgut  Ozal, kryeministrin bullgar Bojko Borisov, zëvendës kancelarin dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë, Alojz Mok, kryetarë e  ministra të vendeve skandinave, personalitete të vendeve të tjera europiane, politikanë nga të gjitha  kontinentet dhe, sigurisht, ata të vendeve fqinje. Nga Lindja e Mesme më herët kisha takuar liderin palestinez Arafat dhe më vonë Mbretin Abdullah të Jordanisë dhe shumë liderë “në zë të mirë apo të keq” nga kjo pjesë e botës. Kisha takuar shumë senatorë e kongresmenë amerikanë dhe shumë parlamentarë europianë, disa prej të cilëve me kohë u bënë miq dhe mbështetës të mëdhenj të Kosovës. Të gjithë këta qenë të gatshëm të dëgjonin mbi “dramën e rëndë” të Kosovës dhe të popullit të saj dhe  zgjatën dorën e shpëtimit.  

Gjatë viteve të nëntëdhjeta, takimet në të cilat merrnim pjesë përshkoheshin të shumtën me mirëkuptim. Ne trokisnim në zyrat europiane për të folur për Kosovën, një gjë që nuk e kishim bërë kurrë më parë si Kosovë. Për më tepër nuk e kishte bërë as Shqipëria gjatë periudhës së saj të izolimit komunist, por as më parë. Për bashkëbiseduesit tanë, Kosova ishte jo vetëm një zbulim që nxirrte nga letargjia një pjesë të Europës  së panjohur, por  edhe objekt  kureshtjeje, madje edhe shqetësimi  për ato që ndodhnin mu tek hundët e botës demokratike në Europë. Nga kureshtja liderët europianë kalonin në premtime dhe zotime se populli i Kosovës nuk mund të lihej në duar të persekutuesve dhe  mohuesve të lirisë edhe të drejtave të tyre njerëzore. Pas një takimi  të  tillë në Departamentin e Shtetit, Sekretari Uoren Kristofer kishte bërë një premtim duke thënë se shqiptarët e Kosovës meritonin ndihmën amerikane, kurse pasardhësja e saj Madelinë Albright, mikja më e madhe e Kosovës, kishte  theksuar se diplomacia amerikane do të angazhohej me tërë fuqinë e saj për të ndaluar persekutimin etnik  të shqiptarëve dhe për të parandaluar spastrimin etnik. Në një nga vizitat tona, pranë derës së Zyrës së Sekretares Albright kishim vërejtur vëllimet e mëdha të raporteve të Karnegit që përmbanin dokumentacionin më të plotë të krimeve kundër shqiptarëve dhe golgotës së shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1910, 11, 12 e 13 nga ana e regjimeve pushtuese serbe. Kishim ndjenjën se tani Uashingtoni po mblidhte faktet e pamohueshme mbi dhunën dhe gjenocidin që kishte shoqëruar shqiptarët që nga fillimi i shekullit dhe kishte vendosur që të rishikonte dokumentet nga fillimi i shekullit. Prisnim që ajo të fliste, madje zëshëm. Ashtu siç edhe ndodhi.

Në Britani të Madhe “sentimenti” ndaj shqiptarëve dhe ndjenja e një pendese historike për ndarjen e Shqipërisë nga vendet fqinje, ku kishte pasur gisht edhe Britania e asaj kohe, ishte  evidente në takimet tona. Londra donte të përmirësonte një gabim historik. Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar kishte dërguar në Kosovë komisione  të shumta hetimi, ndërkohë që debatet në Parlamentin britanik ishin në mbështetje të plotë të Kosovës. Ish-Kryeministrja Theçër theksoi me zemërim se  Beogradi nuk duhej toleruar më dhe se një gabim historik duhej ndrequr sa  më parë. Më kujtohet nga një prej vizitave tona në Londër kur ajo u ngrit nga froni ku rrinte  ulur duke folur me forcë se ajo që po ndodhte sot në Kosovë, në zemër të Europës, ishte një turp dhe se nuk do të tolerohej. I njëjti sinjal vinte edhe nga Franca, mikja e dikurshme e Serbisë… 

            Ishte i paharrueshëm takimi me Xhorxh Bushin e Ri, i cili nga Tirana kishte theksuar për ta dëgjuar  e tërë bota, “Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe pikë”. Me rastin e mbarimit të mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë një nga  të arriturat më të mëdha të Administratës së tij ishte pikërisht liria e Kosovës.  Më kujtohet kur  më ftuan të qëndroja  pranë tij dhe t’i zgjatja dorën në momentin kur u përmend Kosova. Ky njeri që kishte ndikim në tërë botën, kishte zgjedhur Kosovën si krenari të tij personale. Kujtimet janë të pafund nga takimet me njerëz me një ndikim të përgjithshëm global, të cilët, në momentin e duhur, vendosën të ndihmonin Kosovën. Kjo është diçka që ne nuk duhet ta harrojmë asnjëherë… 

  1. Cilat ishit marrëdhëniet tuaja me Amerikën në periudhën sa ishit në rolin e gazetarit dhe pastaj në misionin e ambasadorit. Po përmend këtu dy vepra që i keni shkruar: “Skica amerikane” (2015) dhe “Faqe miqësie”(2016)? 

Tashmë kisha krijuar një relacion me shtetin amerikan, me vendin e demokracisë, të lirisë së fjalës, të shtypit të lirë dhe të drejtave njerëzore. Të një vendi unik që u shndërrua në superfuqi botërore nga vrulli i papenguar  i energjisë njerëzore. Ishte  një shembull se  çfarë mund të arrijë një vend i lirë, kur vetë njeriu është ai që kontrollon fatin e vet. Ky ishte një vend i hapësirave të pafund, i prerive dhe Maleve Apalaçe, vendi i Holivudit dhe i Niagarës, i Kanionit të Madh dhe Malit Rashemor, i Floridës së ngrohtë dhe Luizianës shumëngjyrëshe, i Teksasit me naftë dhe fushave të pafund të grunajave të Mes-Perëndimit amerikan. Ishte vend i autorëve  të mëdhenj të letërsisë, vend i shkencës dhe teknologjisë dhe institucioneve më të larta të edukimit. Vend i frymëzimit dhe i mundësive të hapura për të gjithë njerëzit që përbënin një komb të ri me shumë etni dhe me një synim të përbashkët në harmoni me vlerat  universale të lirisë, barazisë dhe drejtësisë. Në hyrje të Kushtetutës së këtij vendi shkruan se “çdo njeri lind i barabartë” dhe ashtu duhet të jetë.

Vetë historia e krijimit  të shtetit amerikan ishte shembull frymëzimi dhe  si ambasador i parë i vendit tim në këtë vend të madh të demokracisë, unë shpejt do të kuptoja se modeli amerikan do të ishte modeli ideal i ndërtimit të shoqërisë shqiptare në një të ardhme, ashtu siç kisha pasur bindjen se shpëtimi i vetëm për Kosovën do të mund të vinte nga Amerika. Për këtë bindje kisha arsye të fortë. Ishin dy momente kyçe të rolit të amerikanëve në dobi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Në fillim, si një dëshmi e pamohueshme ishte roli i shqiptarëve të Amerikës në shtetbërjen shqiptare, që ky vend i strehoi dhe i integroi si një komunitet i çmuar. Për herë të parë komuniteti shqiptar kishte trajtimin dinjitoz si popull dhe si individë të lirë. Madje, Amerika, të paktën dy herë, mbrojti  të drejtat e  shqiptarëve si komb. Presidenti amerikan Uilson me parimet e tij për mbrojtjen e popujve të vegjël dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje shpëtoi Shqipërinë nga  copëtimi i mëtejmë. Momenti tjetër lidhet gjithashtu me emrin e një Presidenti amerikan, Bill Klinton, i cili i priu aksionit për shpëtimin e Kosovës në vitin 1999. Në këtë faqe të kësaj dëshmie qëndron brezi i liderëve të rinj amerikanë, të cilët në momentet kyçe të fatit të vendit tonë i dolën atij në mbështetje. Për më tepër, populli amerikan ndau dhimbjen me Kosovën dhe mijëra  kosovarë gjetën strehë në shtëpitë e amerikanëve, si  kushërinj të tyre të afërt. Në çaste vendimtare ishin amerikanët ata që dhanë kontributin e tyre në të mirë të çështjes së Kosovës, në aspektin intelektual, politik, por edhe ushtarak…

Botimi i librit “Skica amerikane” ishte rezultat i shkrimeve fejtonistike, reportazheve, udhëpërshkrimeve dhe eseve mbi jetën amerikane, të cilat i kisha shkruar si korrespondent i “Rilindjes” gjatë viteve të tetëdhjeta. Atëbotë, shkrimet nga Amerika lexoheshin si “zbulime” për lexuesin tonë, nga që atëherë nuk kishim mjete të tjera të informacionit mbi vende e popuj të ndryshëm dhe gazeta jonë ishte një burim i pazëvendësueshëm për këtë. Ishte një analizë pothuajse e plotë e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore amerikane. Ishte po ashtu një prezentim i Amerikës së artit e letërsisë, i shkencës dhe i shpërthimit të teknologjisë dhe transformimeve të mëdha. “Amerika ime” ishte  shikim përmes prizmit personal dhe përshtypjeve  që kisha krijuar si  vrojtues i huaj i fenomeneve, zhvillimeve dhe realiteteve në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi ishte  njohja e  lexuesit shqiptar me përvojat demokratike dhe veçantitë karakteristike të një vendi të madh siç ishte Amerika. Doja që ky libër të ishte po aq një dëshmi se si shkruhej në të vërtetë në vitet e tetëdhjeta nga gazetarët tanë, cili ishte stili, preokupimi, pikëpamja dhe  mbarështrimi i një gazetari shqiptar të asaj kohe. Më erdhi mirë kur dëgjova se ky libër ishte  rekomanduar si literaturë për studentët e Katedrës së gazetarisë në Universitetin e Prishtinës…  

            Gjatë karrierës sime botova  edhe shkrime të tjera mbi Amerikën dhe shqiptarët e Amerikës në veçanti. Libri “Faqe miqësie” është një përmbledhje shembujsh e kontributesh nga personalitete anglo-amerikane për shqiptarët dhe për çështjen shqiptare. Ajo përmban shkrime mbi shqiptarët e Amerikës, mbi Faik Konicën, Nolin dhe  presidentin Uilson. Ka po ashtu pjesë nga veprimtaria e Edit Durhamit, Rose Wilder Lane, Aubrey Herbert dhe miqësinë e tij me Isa Boletinin dhe shqiptarë të tjerë, mbi arbëreshët e Nju-Orleansit, mbi autorë të ndryshëm që u morën me  shqiptarët, mbi raportet diplomatike nga masakrat ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit njëzet, si dhe kontributin e Parlamenti britanik në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kam menduar se ky botim modest do të paraqiste një shenjë mirënjohje dhe falënderimi që ndien çdo shqiptar ndaj këtyre miqve të vërtetë të tyre.

  1. Vepra “Misioni i parë” (2019), është konceptuar nga shënimet tuaja në misionin diplomatik-ambasador në Uashington. E keni konsideruar si material dokumentues dhe referues, a mund të shërbejë edhe si libër profesional udhëzues për diplomatët e rinj?

Pas shërbimit tim 12-vjeçar si ambasador karriere, dua të theksoj po ashtu edhe rëndësinë e bartjes së kujtimeve nga përvojat diplomatike tek publiku. Andaj, këtë “detyrim” e kreva kur botova një libër mbi përvojën time diplomatike në Uashington, që nuk është vetëm një narracion mbi përvojën time personale, si një referencë, por edhe si një udhërrëfyes për diplomatë të ardhshëm të Kosovës se si duket në praktikë puna e përditshme e një diplomati që shërben në një përfaqësi të jashtme. Mbi të gjitha është një rrëfim lidhur me atë se si ndodhi hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

Kujtimet po ashtu konsiderohen të jenë një burim i një rëndësie të madhe në fushën e shkrimit historik. Për më tepër, i nxitur nga cytje eseistike ky libër nuk u shkrua si doracak klasik për diplomatët, por si një libër që i plotëson kriteret e një vepre publicistike. Aty ka jo vetëm fakte të nxjerra nga përditshmëria e punës sonë, nga diplomacia, por edhe përshkrime, nganjëherë me qasje dhe patos emocional, me përshkrime njerëzish dhe vendesh në baritjet tona nëpër këtë vend të madh për të prezentuar Kosovën në dritë sa më të mirë dhe për  të mësuar nga demokracia amerikane. Ka përshkrime të Amerikës urbane dhe rurale, pjesë të historisë së këtij vendi, copëza impresionesh udhëtimesh nga Teksasi, Florida, Minesota, Luiziana, Los Anxhelosi, Porto Rikoja. Dhe, patjetër, nga Nju-Jorku, qyteti i papërsëritshëm, ku ka aq shumë bashkatdhetarë tanë.     

S’do mend, diplomati duhet të ofrojë elemente të sakta për një vlerësim objektiv dhe gjithashtu, me kujdesin e duhur, të bëjë të pamundurën për të përshkruar ngjarjet, por duke pasur kujdes që t’u shmanget profetizimeve. Problemi kryesor është mbledhja e të dhënave dhe aktiviteti i parë i diplomatit, në fakt, konsiston në grumbullimin e shënimeve, informacioneve dhe fakteve që do t’i mundësojnë atij për të raportuar me respektim absolut për realitetin, qoftë politik apo ekonomik. Natyrisht, marrja me shkrime, apo me punë intelektuale të proveniencës së interesimit të tij, është një praktikë e njohur, e cila jo vetëm që nuk pengon një diplomat në punën e tij, por që përkundrazi, e kalitë atë dhe e mpreh mendjen e tij edhe në punën e tij përfaqësuese. E dimë, po ashtu nga e kaluara jonë, se sa konsuj e diplomatë të huaj, që kanë shërbyer historikisht në vise shqiptare, apo në afërsi, kishin shkruar libra, disa edhe fiksion, për përvojat e tyre dhe shqiptarët në viset që kishin vizituar. Disa nga këto libra sot i shërbejnë shumë historisë së etnosit shqiptar.

Këtë përvojë kisha edhe unë ndërmend kur vendosa  që të prezentoja këtë libër me përvojën tonë të rrallë dhe tejet interesante nga kontinenti i botës amerikane. “Misioni i parë” ishte një sintezë në një cilësi tjetër prej vrojtuesi nga një vend  ku isha po aq pjesëmarrës sa dhe subjekt. Është një formë përshkrimi autobiografik i veprimtarisë sime në rolin e Ambasadorit dhe diplomatit të Kosovës. Në këtë libër jam përpjekur të bëj një përshkrim jo vetëm në aspektin e punës së përditshme  në misioni tim, por edhe në portretizimin e shtetit amerikan në dritën e zhvillimeve moderne, por edhe të historisë dhe veçantive të jetës në Shtetet e Bashkuara. Ishte një lloj borxhi që unë ndieja për lexuesin shqiptar dhe jam i lumtur që  arrita ta plotësoja… Gjatë karrierës sime botova  edhe shkrime të tjera mbi Amerikën dhe për shqiptarët e Amerikës në veçanti.

Unë vërtetë kisha menduar se një ambasador është ai që merr një copë dheu të vendit të tij për ta sjellë në vendin ku shërben dhe pastaj të marrë një copë dheu nga vendi ku ka shërbyer për ta prezentuar në vendin e vet. Andaj ky “grusht dheu” është pikërisht ky libër përvojash personale nga Amerika. Ky është një mision që afron popuj e vende dhe këtë kisha parasysh kur zura të shkruaja…

  1. Keni shkruar një monografi për veprimtarinë e Nolit në Amerikë. Cilin dimension e vlerësoni më të rëndësishmin në veprimtarinë dhe në krijimtarinë e Nolit?

Libri fokusohet në veprimtarinë dhe jetën e Fan Nolit në Shtetet e Bashkuara. Është periudha më e frytshme dhe më interesante e këtij shkrimtari, publicisti, përkthyesi, politikani, burrështetasi, diplomati, poligloti dhe kleriku të veçantë shqiptar. Kisha mbledhur materiale për të bërë një monografi për këtë figurë shumëdimensionale parë sidomos si një intelektual i kohës nga të rrallët ndër shqiptarë. Thelbi i motivimit tim studimor mbi Nolin ishte i shumëfishtë: figura e madhe dhe shumëdimensionale e Nolit, i cili si intelektual ishte figurë edhe shqiptare edhe amerikane; së dyti, kontributi që i dha ai miqësisë shqiptaro-amerikane, si dhe puna e tij intelektuale: si autobiograf, përkthyes, njeri i angazhuar për çështjen shqiptare, për lirinë e Shqipërisë, historian, autor i veprave në anglisht, i cili bashkë me Faik Konicën ka ndikuar në ndërtimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe në pasurimin e kulturës, historisë, diplomacisë dhe letrave shqiptare në përgjithësi. 

Është e vërtetë se veprimtaria e Nolit në gjysmëshekullin e kaluar ka qenë në qendër të vëmendjes së studiuesve të tij. Mirëpo, pak studiues deri më tani janë fokusuar ekskluzivisht mbi veprimtarinë gjysmëshekullore të Nolit të zhvilluar vetëm në SHBA dhe ne jemi përpjekur ta bënim pikërisht këtë. Në studimin “Fan S. Noli në Amerikë – jeta dhe veprimtaria në SHBA” kam përqendruar vëmendjen time analitike në një periudhë më se gjysmë shekullore të jetës dhe të veprimtarisë së begatshme të Nolit, për të ofruar një portretizim jo vetëm në tiparet, cilësitë dhe karakterin e Nolit, po edhe në veprimtarinë e tij komplekse, të larmishme dhe të pasur, emancipuese kombëtare, politike, kulturore, fetare, publicistike, artistike dhe shkencore. Duke iu përmbajtur një kronologjie të pashmangshme, jam përpjekur të paraqes Nolin si ideologun liridashës të Rilindjes Kombëtare, nga një anë dhe nga ana tjetër, Nolin si reformator, predikues dhe themelues të Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili në të njëjtën kohë i përkthen në gjuhën shqipe edhe librat e shërbesave fetare. Veç kësaj, Noli edhe  këtu përdor altarin fetar për të artikular dhe përhapur edhe propagandën kombëtare për bashkimin kombëtar, lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Noli është dramaturg dhe përkthyes tregimesh, novelash dhe poezish të përzgjedhura nga autorë të shquar të letërsisë botërore. Ai kontribuoi edhe në arsimimin e shqiptarëve të Amerikës, duke themeluar shoqata të ndryshme, së pari shqiptare e pastaj edhe shqiptaro-amerikane. Njëherësh, në dekadën e parë të shekullit njëzet, në hovin e tij djaloshar, Noli jep kontributin e tij për çështjen kombëtare edhe në të përkohshmen e parë të shqiptarëve të Amerikës, “Kombi”, duke ndikuar si në thellimin e ndjenjës kombëtare, ashtu dhe në thellimin e dashurisë për gjuhën, lirinë, demokracinë dhe atdheun. Pastaj, Noli, duke qitur në dritë të përkohshmen e re në shqipe “Dielli” (1909), nuk u paraqit vetëm si drejtor i të përkohshmes, por edhe si autor i një programi politik për çlirimin kombëtar. Në atë kohë, ai është i angazhuar edhe në organizimin e mitingjeve të shqiptarëve të Amerikës për të kërkuar lirinë e shqiptarëve. Me këtë rast duhet të theksohet organizimi i një mitingu masiv të shqiptarëve të Amerikës, më 1910, për përkrahjen e kryengritësve shqiptarë, të cilët luftonin për liri. Fjalimi i tij i zjarrtë dhe patriotik u mbeti në kujtesë shumë shqiptarëve të brezit te tij.

Është vështirë të thuhet se cila nga veprimtaritë e shumta krijuese të Nolit është më e veçantë se të tjerat. Ai shkëlqeu si përkthyes i veprave të Shekspirit, Servantesit, Khajamit, Edgar Alan Posë, Longfellout, Valerit, Ibsenit e të shumë autorëve të mëdhenj botërorë. Ai shkëlqeu si publicist, si botues  i gazetave dhe revistave, kurse në shkrimet e tij me tematika  nga më të ndryshmet me interes për kombin shqiptar, ai ishte jo më pak i zoti si historian, madje edhe si kritik arti e muzike. Vepra e tij “Betoveni dhe revolucioni frëng” konsiderohet si një vepër e rëndësishme biografike mbi kompozitorin gjerman të shekullit nëntëmbëdhjetë. Ai ishte orator dhe polemist i pashoq dhe disa nga polemikat e tij me bashkëkohës, si ato me Faik Konicën, një shqiptar tjetër i dijshëm, paraqesin shembujt të lartë të polemikës shqiptare.

Por, mbi të gjitha ai ishte një diplomat i jashtëzakonshëm që përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Ndonëse një nga  fjalimet e tij drejtuar Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë u quajt kontrovers dhe konsiderohet si jodiplomatik, për shkak të paraqitjes emocionale, që prish çdo fjalim diplomatik, fjala e tij u vlerësua lart nga shtypi i kohës si një fjalim i befasishëm që tronditi Kuvendin e Lidhjes së Kombeve. Daily Telegraph thoshte për fjalimin: “Fjalë të drejta. Bombë e peshkopit shqiptar”, New York Times: “Peshkopi Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske”, Mezzogiorno shkruante: “Fjala më e kthjellët dhe më e mençur”, kurse Gazette de Lausanne: “Fjalë pa masë e zgjuar dhe e hollë”. Por, disa pohojnë se kjo fjalë, megjithatë, i kushtoi Shqipërisë për shkak të  kritikave të rënda ndaj diplomacisë botërore, por edhe vendeve ë fuqishme anëtare të Lidhjes. Ndonëse fjala e tij qe një vepër unike e oratorisë.

Sidoqoftë, atij nuk mund t’i mohohet assesi kontributi diplomatik me disa veprime diplomatike të rëndësishme për Shqipërinë. Ai ishte meritor për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e  Kombeve në  vitin 1920. Falë aftësisë së tij si diplomat, Fan Noli punoi pa pushim me përfaqësues të vendeve anëtare në Lidhjen e Kombeve për të lobuar në favor  të çështjes shqiptare.

Por  mbi të gjitha, “kryevepra” e tij diplomatike ishte takimi i tij me Presidentin Uilson, të mbajtur më 4 korrik 1918 në Maunt Vernon, ku Presidenti amerikan paraqiti të katër pikat e tij. Fan Noli i takua me Presidentin Uilson në jahtin presidencial “Mejflauer” dhe i bëri thirrje atij të rivendoste pavarësinë e Shqipërisë, e cila ishte shkelur nga ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore. Fan Noli përshkruan në detaje këtë takim esencial dhe fjalët e tij drejtuar  Presidentit Uilson: “E vetmja shpresë për shqiptarët është Amerika dhe ju, z. President.” Fjalët e Presidentit përbënin atë që tani është shndërruar në thënie proverbiale të Presidenti amerikan: “Unë do të kem vetëm një zë në Kongresin e Paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë.”

Ky takim i Nolit me Presidentin Uilson mund të quhet jo vetëm si kontakti i parë i një përfaqësuesi të shqiptarëve me qeverinë amerikane, por edhe një nga takimet me  më peshë të shekullit. Takimi përbën një gur themeli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Andaj, mendoj se diplomacia është kontributi më i madh  që Fan Noli bëri për  Shqipërinë dhe shqiptarët…

Librin “Fan Noli – Jeta në Amerikë” e kisha “pasuruar” edhe me një CD të fjalimeve të mbajtura të Nolit në raste të ndryshme në Boston. Kishte ligjërata mbi letërsinë, mbi politikën, mbi diplomacinë, mbi patriotizmin dhe mbi historinë e shqiptarëve të Amerikës, “Vatrës” e  “Diellit”. Këto fjalime janë po ashtu një shembull i shkëlqyer i ligjërimit dhe oratorisë.

Këtë libër e botova edhe në anglisht, të përkthyer nga Getoar Mjeku, me titull “Fan Noli’s American Years – Notes on a Great Albanian American”  nga “Jalifat Publishing” (2009, 2016) në Hjuston. 

  1. Çka mendoni për rolin e intelektualit sot në Kosovë?

Roli i intelektualit në shoqëri paraqet një temë të ndërlikuar. Ne në Kosovë mund të flasim  se çfarë ndikimi i madh, kuptimplotë dhe vendimtar kanë pasur intelektualët në Kosovë, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, po dhe më vonë, në periudhën e arsimimit dhe trasimit të rrugës së çlirimit kombëtar, ndonëse në kohë monizmi dhe të persekutimit, duke e bërë këtë për një kauzë dhe qëllim fisnik – të ruajtjes së identitetit dhe emancipimit shpirtëror të kombit dhe kontributit të madh në pasurimin e kulturës kombëtare. Flasim për periudhën e “intelektualit të angazhuar” – të pjesëmarrjes në proceset shoqërore, si një domosdo që lindte nga zhvillime që kërkonin drejtim për proceset që ndodhnin dhe që do të përcaktonin të nesërmen e tonë. Ky ishte një lajtmotiv për çdo intelektual të mirëfilltë të kohës i rolit të tij angazhues dhe udhërrëfyes në një kohë që ishte e zymtë dhe përplot pasiguri. Mendoj se kjo kohë shënonte një sprovë për intelektualët shqiptarë që ata e kaluan me sukses dhe do të ngelë në histori si shembull i rolit aktiv të intelektualit kundruall kombit dhe vendit të vet…

Një rol ky që sot është më i vogël, për shkak të margjinalizimit të intelektualit dhe zërit të tij në proceset shoqërore, që vjen nga faktorë të shumtë dhe si pasojë e mospërfilljes së tij nga politika, e cila ka dalë në plan të parë të të gjitha angazhimeve. Intelektuali sot është në kërkim të rigjetjes së vendit dhe rolit të tij në shoqëri, në këtë shoqëri që po transformohet në mënyrë marramendëse dhe jo gjithmonë pozitivisht, si kudo në botë, dhe në të cilën intelektuali ndjehet shpesh i zhvendosur. Arsyet e vërteta dhe të shumta për këtë mund të jenë pjesë e  një debati më të gjerë në kuadër të realitetit të sotshëm shoqëror në Kosovë, por edhe në përmasa më të gjera mbarëkombëtare…

            Në vend të intelektualit të mirëfilltë, druaj të them se kemi një periudhë pseudo-intelektualizmi, të mos them anti-intelektualizmi që lind në situata kur ekzistojnë pasione të forta që nuk mund të përmbushen. Intelektuali ka ende ndikim aty ku nuk përfshihen çështje pasionante, por ndryshimi është se ai vazhdon të funksionojë pa një drejtim, pa një konceptim të qëllimeve për të cilat njerëzit duhet të jetojnë. Respekti për intelektualin dhe “të urtin” është në raport të zhdrejtë me nivelin e inteligjencës së shoqërisë; respekti për intelektualin është reduktuar dhe zëvendësuar me pseudo-intelektualin me pak arsimim, që bën që ai t’i nënshtrohet politikës së ditës apo grishjeve utilitare të interesit vetjak. Pseudo apo anti-intelektuali pozicionohet në fronte retrograde: ai do të ngrihet kundër gjuhës standarde, duke u stisur pas  cytjeve fisnore e lokaliste, në vend se të punojë për avancimin dhe pasurimin gjuhësor; ai dëmton kulturën e përgjithshme shqiptare duke u angazhuar nga pozicione të rrethit të tij të ngushtë, në vend se t’i shohë kauzat e përgjithshme në një dioptri më të gjerë civilizuese; ai do të gjejë “falsitete” tek vlerat kombëtare dhe do të ngrihet kundër historisë dhe personaliteteve historike të kombit të vet duke kërkuar të vërteta të tjera që, në fakt, relativizojnë rëndësinë e kombit të vet nëpër faza të ndryshme historike; mohon apo hesht për lashtësinë dhe autoktoninë e kombit të tyre në vend se të kërkojnë argumente dhe fakte shtesë shkencore që vërtetojnë atë; ai angazhohet për kauza të huaja dhe duke kërkuar ndajshtime të identiteteve dytësore ndaj identitetit  kombëtar shqiptar, ai do të luftojë për krijimin e një identiteti të ri tepër të dyshimtë dhe të huaj për t’ia veshur kombit të tij, e të tjera. Lufton për kauza të të tjerëve duke shpenzuar energjinë jo në dobi të kombit të vet dhe për përparimin e tij. Përçmon kombin e vet duke pohuar se fatkeqësitë e pareshtura që kanë përshkuar këtë komb gjatë historisë janë faji i tij, se shqiptari është i prapambetur dhe primitiv dhe se nuk ka dhënë asnjë kontribut kulmor qytetërues apo krijues kulturor e letrar për kulturën e përgjithshme, se kultura shqiptare është e margjinalizuar, e mbyllur dhe e kufizuar dhe jashtë trendëve modernë, se shqiptarët në të vërtetë nuk ndryshojnë dhe se një sindrom mosndryshimi përcjell jetën e shqiptarit në çfarëdo rrethane. Ai nuk kritikon por asgjëson, ai nuk ndërton por shkatërron. Ai hesht kur duhet reaguar dhe reagon kur duhet heshtur. Ai nuk sheh asgjë të mirë në të djeshmen, të sotshmen por edhe në të ardhmen e shqiptarisë dhe kërkon mbështetje në identitete sekondare. Ai i është dorëzuar dhe është bërë mjet i politikës dhe politikanëve, në vend se të mos ketë të bëjë aspak me ta, e shumë atributeve të tjera të përditshme…

Ky tip intelektuali shqiptar sot, për fat të keq, gjendet gjithandej, derisa intelektuali i vërtetë nuk kryen dot punën e vet, si prijatar i proceseve zhvillimore dhe trendëve të bashkëkohësisë që duhet ndjekur.  Ai, madje, me një lloj konformiteti, nuk i kundërvihet tipit të parë, atij të pseudo-intelektualit, roli i të cilit sa vjen e shtohet duke u rehatuar në rrethe politike dhe të interesit vetjak, i mbrojtur nga ambienti i tij gjithnjë e më i tëhuajsuar. Andaj, intelektuali i vërtetë sot rri i margjinalizuar, “zemërplasur” dhe pa mundësi të parapengimit të çfarëdo dukurie negative në shoqëri. Atë nuk e përfill askush. Kështu ai paraqitet sot si apatik, ndryshe nga roli i tij iluminues e qytetërues në të kaluarën tonë. Për këtë, ai është po aq fajtor sa dhe ata që e kanë vënë intelektualin në pozitë inferiore.     

Mjetet moderne të komunikimit (interneti) kanë zgjeruar gamën e të shprehurit kolektiv por  ka barazuar intelektualin me pseudo-intelektualin apo edhe me injorantin, duke siguruar qasje të njëjtë tek të dy. Kjo do të thotë se në vend të një qëndrimi kritik tani kemi një qëndrim skeptik që buron nga mungesa e edukimit adekuat qytetar si burim kryesor që është ushqim i mendjes së shëndoshë dhe racionale. Intelektualët e vërtetë janë të vetëdijshëm se, si gjithë të tjerët, ata kanë pikat e veta të dobëta andaj qëndrojnë mendjehapur, ndonëse kjo vetëdije e  tyre mund të kufizojë angazhimin e tyre dhe kështu me mosveprim t’i shkaktojnë dëm shoqërisë.

Siç thoshte Ajnshtajni: “Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë keq, por për shkak të atyre që shikojnë dhe nuk bëjnë asgjë”. Unë besoj se intelektualët janë veprimtarë të ndryshimit, veçanërisht në ato pjesë të botës ku sjellja e padrejtë dhe e gabuar është bërë normë. Në mënyrat e tyre, intelektualët kudo në botë po japin kontribute efektive për përmirësimin e shoqërisë në mënyra kuptimplota. Nuk do të kishte arsye që kjo të mos ndodhë edhe këtu në këtë moment të zhvillimit tonë shoqëror me intelektualët tanë.   

Por, ç’e bën një intelektual të duhur? Para  së gjithash, edukimi i mirë tek një intelektual është parakusht për ndikimin e inteligjencës dhe racionalitetit të tij. Një person me aftësi dhe njohuri të larta mban këtë lloj përgjegjësie dhe i detyrohet milieut të vet. Intelektualët duhet të përdorin kapacitetin e tyre për të kontribuar në shmangien e shoqërisë nga rrjedha me ndikim negativ por edhe nga përpjekjet e papërshtatshme aktuale dhe të ardhshme. Pikërisht kjo mungesë vizioni tek intelektualët tanë ka bërë që shoqëria jonë të lëngojë nga lëvizje e kauza të huaja që po e dëmtojnë identitetin shqiptar, që në një kohë afatgjate do të dëmtojnë kohezionin kombëtar.

Vaclav Havel flet për rolin e intelektualit brenda shoqërisë. Ai thotë pikërisht këtë që intelektuali ynë sot nuk  bën: “Intelektuali duhet të shqetësojë vazhdimisht, të dëshmojë për mjerimin e botës, të jetë provokues duke qenë i pavarur, të rebelohet kundër të gjitha presioneve dhe manipulimeve të fshehura e të hapura; duhet të jetë dyshuesi kryesor i sistemeve… dhe për këtë arsye, një intelektual nuk mund të përshtatet në asnjë rol që mund t’i paracaktohet … dhe në thelb ai nuk përket askund: ai konsiderohet një ngacmues i bezdisshëm kudo që është.” I lidhur me këtë, pra, shihet edhe roli i intelektualëve që ata duhet të kenë në shoqëri. Në përgjithësi, intelektualët duhet të marrin përsipër një perspektivë reflektuese mbi shoqërinë. Kjo është më se e nevojshme sot tek ne…

  1. Cilët nga shkrimtarët shqiptarë i pëlqeni më së shumti?

Padyshim, shumica e lexuesve shqiptarë do të përgjigjeshin atypëraty: Ismail Kadare. Dhe, më të drejtë, ndonëse emri i Kadaresë, i cili duke qenë autori shqiptar më i përkthyer deri më sot, është shndërruar në emblemë të prozës moderne shqiptare. Është  vështirë madje të veçohet vetëm një nga  veprat e tij ngaqë opusi krijues i Kadaresë paraqet një tërësi mbi milieun shqiptar, nëpër epoka historike dhe  aktualitet, që përmban dramën, tragjiken, qëndresën dhe mbijetesën e kombit shqiptar. Mbase do të mund të zgjedhja çdo libër të Ismail Kadaresë dhe po të thosha, ta zëmë, “Kush e solli Doruntinën”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Koncert në fund të dimrit” mbase nuk do të gaboja.

Kadareja qëndron disi “jashtë konkurrencës”. Po, letërsia shqipe, si ajo e traditës ashtu dhe ajo bashkëkohore, ka vlera të vërteta dhe autorë të denjë për t’u respektuar dhe për t’u prezentuar tek lexuesi botëror, andaj Kadare nuk është assesi i vetmuar. Më vijnë ndërmend me rendomëni emrat e  autorëve nga periudha dhe kohë të ndryshme: që nga Marin Barleti, Vaso Pashë Shkodrani, Naim e Sami Frashëri, Fan Noli, Gjergj Fishta e Faik Konica e deri tek Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Fatos Arapi e Zija Çela, Azem Shkreli e Ali Podrimja, tek ne, madje edhe tek brezi i  ri si Elvira Dones, Bashkim Shehu, Mimoza Ahmeti, Flutura Açka, madje deri tek Lea Ypi.

Është po aq vështirë që të bësh një përzgjedhje nga opusi i madh i veprave të këtyre prozatorëve tanë: Vepra më impresionuese që  kam lexuar nga autorë shqiptarë është për mua romani autobiografik i Petro Markos “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, që portretizon intelektualin dhe idealistin iluzor tipik shqiptar që nga Lufta civile e Spanjës e deri tek tragjika e diktaturës komuniste. Do të veçoja, megjithatë, shkrimtarin Vath Koreshi dhe veprën e tij “Haxhiu i Frakullës”, që për mua është një vepër e fuqishme me mesazhin se  çdo njeri lumturinë duhet ta kërkojë dhe do ta gjejë vetëm në atdheun e vet. Porosi e madhe për një komb që ka  një traditë shpërnguljeje dhe që vazhdon të ikë nga vendi i vet. Pastaj vjen “I humburi” i Fatos Kongolit që del përtej përgjigjeve në pyetjet komplekse se pse njerëzit që patën mundësinë të shpëtonin nga diktatura, vendosnin përfundimisht të qëndronin, si dhe romani i Zija Çelës “Gjaku i dallëndyshes”. Në kohë të fundit, më ka bërë përshtypje libri “bestseller” i Lea Ypit, “Të lirë”.

Nga krijuesit kosovarë (për fat të keq, në Shqipëri nuk hyjnë se nuk hyjnë autorët kosovarë si pjesë integrale e letërsisë shqiptare, por vazhdojnë të veçohen) ka më shumë poetë sesa prozatorë, ndonëse ka disa vepra të veçanta nga prozatorë si Nazmi Rrahmani, Mehmet Kraja, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, poetë si Azem Shkreli, Ali Podrimja e Din Mhmeti, si dhe poetët Basri Qapriçi, Sali Bashota, Milazim Krasniqi, Naime Beqiraj dhe Ilire Zajmi, e të tjerë emra nga brezi më i ri. Në këtë aspekt, kam qenë jashtëzakonisht i pasionuar pas disa nga këta poetë shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve kam pasur nderin t’i kisha  miq edhe t’i përktheja në anglisht. Ka emra të shquar edhe nga brezi i ri, përfshirë edhe prozatorë, e të cilët paraqesin një premtim për krijimtarinë letrare shqipe në Kosovë…

  1. Po nga shkrimtarët botërorë?

Kam pasur gjithnjë një prirje admirimi për letërsinë anglo-amerikane: Romani emblematik i Ernest Heminguejt “Plaku dhe deti”, ai i Skot Ficxheraldit “Getsbi i Madh”, Gjon Stainbek “Hardhia e Zemratës”, apo klasikët. Patjetër autorë të Amerikës Latine si Gabriel Garcia Markez dhe romani i tij “Njëqind vjet vetmi”, një roman  i jashtëzakonshëm që pushtoi botën, apo autorë të tjerë latino-amerikan, si Paulo Coelho “Alkimisti” dhe të tjera vepra të tij të prezentuara edhe para publikut shqiptar, etj.

Disa nga vepra të tjera të rëndësishme nga letërsia botërore për mua ishin edhe “Ferma e Kafshëve” e Xhorxh Oruellit, një manifest i vërtetë kundër autoritarizmit,  “Letër babait” e Franc Kafkës, një libër i shkurtër që ngërthen konfliktin e brezave, si dhe “Muzeu i Pafajësisë” i novelistit turk Orhan Paduk dhe manifestet politike-filozofike të Uinston Çërçillit.

Kohëve të fundit kam lexuar një numër të konsiderueshëm veprash publicistike nga autorë amerikanë, të cilat tashmë mbizotërojnë në botën e letrave amerikane. Numri i autorëve është aq i madh dhe trajtimi tematik aq i gjerë sa që vështirë të veçosh një autor të vetëm për vlerësimin më të lartë…

  • Me dy poetë, ndër më të mirët e letërsisë shqipe, tashmë të ndjerë, Azem Shkreli dhe Ali Podrimja, keni pasur miqësi. Çka do të na thoshit për ndonjë detaj të rëndësishëm nga takimet me ta?

Që  të dy poetë të mëdhenj të Kosovës, për  të cilët kam pasur një respekt të veçantë si krijues në majë të letërsisë shqipe, por edhe si njerëz e miq të veçantë. Dy poetë me kuptimin e plotë të nocionit poet, njëri autor i vargut “mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë” (Shkreli) dhe tjetri, “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet” (Podrimja), këto dy figura të letërsisë së re shqipe, i konsideroj dy artistë të mëdhenj të cilët kam pasur nderin t’i njoh dhe t’i konsideroj miq.

Të parin e kam njohur Azem Shkrelin për shumë vite dhe në dekadën e nëntëdhjetë kemi kaluar momente të shumta së bashku të rënduar me ndjenjën e persekutimit dhe të pasigurisë të kohës së dramës së madhe të Kosovës. U shoqëruam shumë sidomos duke  bashkëpunuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ajo kohë reflektohej në çdo varg të tij në poezinë e angazhuar dhe thellësisht personale dhe që shprehte brengosjen e thellë për atë që ndodhte me popullin e tij. Poezitë e tij të fundit dukeshin shumë profetike, parë në dritën e perspektivës nga e sotmja, poezitë e tij lartësonin Kosovën, ankthin e poetit kundruall atdheut të shkelur, ndërkohë që ai vetë i ngjante një metafore të tokës, gjithnjë më fytyrëzbehur, gjithnjë më i goditur nga koha, gjithnjë më i ligështuar fizikisht, më skeptik dhe më i dëshpëruar, derisa kur arriti në aeroport dhe shkeli në tokën e Kosovës nuk qëndroi më dot dhe përftoi. Ishte maji i vitit 1997, një ditë që pikëlloi tërë Kosovën. Për këtë kisha shkruar me dhembje një nekrolog në shtypin e kohës.

Kjo vdekje e hershme dhe e papritur e mikut tim poetit dhe intelektualit, Azem Shkreli, vente para nesh një pyetje të rëndë, atë të përballimit të testit të kohës. Sfida e kohës ishte, pa dyshim, gjithëpërfshirëse dhe nuk ishte assesi e kufizuar vetëm në politikë. Ajo kalonte përtej kufijve të mbretërisë së politikës dhe të gjendjes aktuale të çastit. Ajo që zbulonim atëherë ishte çështja se a do  të mundte një komb, që kishte provuar të gjitha llojet e pezmit dhe pasojat e tij, të ndeshej me agresivitetin e kohës dhe prapë të ruante qartësinë e mendjes dhe të shpirtit, si dhe vazhdimësinë e jetës. Kjo, në radhë të parë, kishte të bënte me intelektualin. Azem Shkreli ishte njeri që nuk mund ta ndalnin sfidat e rënda; ai ishte në harmoni midis formës dhe shpirtit poetik, por edhe intelektual i preokupuar me fatin e njeriut dhe të atdheut të tij. Ai nuk pushonte së eksploruari dytësinë e pashmangshme të qenit poet: duke qëndruar si përfaqësues i zërit poetik të kohës dhe si intelektual me barrën e fatit të kombit mbi supe. Ai shpesh më shprehte brengën e tij dhe skepsën se gjërat nuk ecnin ashtu siç duhej, se madhështia e qëndresës së kombit në këtë kohë shpesh nuk matej me përpjesën që duhej të kryenin liderët dhe njerëzit prijatarë të tij.

Ka aq  shumë për të thënë për këtë mik të veçantë timin. Nga ana njerëzore ishte i afërt, pa  aureolën e madhështisë, madje me miqtë e tij gjithmonë ishte i hapur, me një disponim prej hokatari, me humorin e tij të mprehtë që e kishte të lindur dhe burimor nga diskursi i traditës rugovase. Për një kohë, më dukej se  ndjehej i izoluar në mesin e bashkëkohësve. Në jetë, në art, më politikë, në punë, në ndeja, unë ndjeja dhembjen e tij sekrete. Ai nuk ishte i plotë, me pjesën ekspresive të kompletuar dhe me pjesën tjetër të zbrazët si pasojë e ndonjë pengese, që vinte nga ndjenja e të qenit i injoruar, apo nga ndonjë flegmë e natyrës së jashtme që ai nuk e duronte dot. Azemi, si poet dhe si njeri ishte një qenie me fuqi të balancuara, njeri që nuk duronte pengesa përpara vetes, që shihte dhe ballafaqohej me atë që të tjerët e ëndërronin, që kalëronte të gjitha ato shkallë përvoje dhe që përfaqësohej nga të qenit fuqi e aftë për të marrë dhe pastaj për të ikur bashkë me atë të vërtetë që mbarte në vete. 

Takoheshim pothuajse çdo ditë në kafenetë dhe baret e Prishtinës, sidomos në “Elidë”, kur ai kthehej nga qëndrimi në Gjermani e Zvicër, ku takonte familjen dhe bashkatdhetarët tanë. Bisedonim për  barrën e rëndë të kohës, për gazetën, për vizionet e projektet e së ardhmes së Kosovës. Shpesh edhe për poezinë, një pjesë të së cilës kisha nderin ta përktheja në anglisht. Nganjëherë shkonim me miq në Pejë, Rugovë, apo në ndonjë qendër tjetër të Kosovës, sikur për të ikur nga atmosfera mbytëse e “korbave” të zi në Prishtinë. Ai ishte i brengosur tej mase me gjendjen e Kosovës së pushtuar. Shprehte shqetësim edhe për lëngatën tonë të brendshme të kohës, duke përsëritur sa  e sa  herë: “Për një popull, koha më e lig është koha e mediokërve”. Këtë e thoshte atëherë dhe jam i sigurt se këtë do ta thoshte akoma  me më pezëm po të jetonte sot. Këtë mund  të them për mikun tim të veçantë Azem Shkrelin… Ai ankohej shpesh se intelektualët ishin lënë anash, se zëri i tyre nuk merrej parasysh nga politika dhe për këtë kishte një indinjatë ndaj politikës të udhëhequr po ashtu nga një intelektual. Motivi vinte nga një nevojë që ai ndiente për  të bërë më shumë për Kosovën, siç e thotë në një nga poezitë e tij. Në stilin vargut të tij të famshëm “Kosovë, më vjen keq që nuk bëra më shumë për ty” Por pezmi i tij nuk drejtohej  asnjëherë ndaj njerëzve të shquar të vendit të tij, të cilët ai i donte dhe i vlerësonte.

Një mik tjetër i veçantë për mua ishte Ali Podrimja, poeti gjakovar i dhimbjes për Kosovën, në kulmin e lartësisë së letrave shqipe, poeti që kishte  lindur i tillë dhe që një mik imi amerikan e quante “poeti i dhimbjes dhe i zymtësisë së Kosovës”. Ai njihej si poeti i madh në tërë gjeografinë shqiptare. Kishte depërtuar edhe në botë me poezinë e tij të përkthyer. Unë vetë kisha pasur kënaqësinë të përktheja në anglisht disa nga poezitë e këtij poeti dhe miku po aq të veçantë.   

            “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!” është vargu emblematik që identifikon jo poetin Ali Podrimja, që shtënë një varg kuptimplotë dhe mesazh për breza nga historia e Kosovës nën dhunën dhe persekutimin serb. Siç theksojnë kritikët tanë letrarë, “ky varg shënjon idealin e sakrificës sublime të shqiptarëve në emër të atdheut dhe të lirisë; përçon gjithë forcën tragjiko-heroike të zgafelleve më të thella të vetëdijes kombëtare. Ky varg është edhe lajtmotivi i thelbit të poezisë së Ali Podrimjes, e cila në qendër të saj ka etninë shqiptare”. Në një intervistë për një revistë amerikane, Ali Podrimja “përpunonte” akoma më thellë botëkuptimin e tij në raport me Amerikën: “Fatkeqësisht, ndonjëherë ndodh që atdheu të shihet si një gjë e rënë në rrugë, një vrimë e zezë. Disa njerëz i vlerësojnë gjërat e parëndësishme më parë sesa atdheun. Ajo që dua dhe ajo që më lidh me Shtetet e Bashkuara është liria, demokracia dhe mirëkuptimi njerëzor. Që nga poezia ime e hershme, si udhërrëfyes kisha Shtetet e Bashkuara, të cilat mund t’i lexoja si historinë e njerëzimit që mbizotëron kundër së keqes. Unë madje e identifikoja anglishten amerikane si gjuhën e lirisë së shkrimtarëve”…

Ky vit, pra viti 2022, shënon një përvjetor të dyfishtë për Ali Podrimjen, një nga poetët më të rëndësishëm dhe klasikë në historinë e letërsisë shqipe. Ky vit shënon 80-vjetorin e lindjes së tij (Gjakovë 1942) dhe 10-vjetorin e ndarjes nga jeta (Lodeve, Francë 2012). Në këtë kuptim, 2022 është viti i Podrimjes në letërsinë shqipe. Dhe  në këtë përvjetor duhet pranuar po mëdyshje se jo vetëm letrat shqipe, por i tërë qytetërimi shqiptar janë më të lartësuara me emrin e Ali Podrimjës. Ai ishte një njeri që i dha shumë letërsisë në Kosovë, që i dha shpirtit të shqiptarisë atë që rrezikonim ta humbnin nën trysninë e padurueshme të persekutimit, si një zë artistik dhe mbrojtës i paepur i njeriut të Kosovës në të gjitha kohët.

Para luftës  me Aliun takoheshim shpesh në Elidë, kafeneja e famshme e intelektualëve të Kosovës gjatë dekadës së nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Ai botonte librat e tij me vargje dhe publicistikë ku hetohej  një brengosje dhe zymtësi për fatin e shqiptarisë. Ai çdo ditë krijonte vargje të reja dhe i recitonte ato botërisht. Kishte dalë fjala  se Aliu “kushtëzonte” miqtë e tij t’i paguanin një kafe, ose  ndryshe do t’ua lexonte një poezi. Natyrisht, kjo ishte një barsoletë. Por, ai përgjigjej me po aq humor dhe sarkazëm: “Po kujt po i shkruakam unë poezi – njerëzve që nuk ia dinë vlerën”.      

Lajmi se njëri prej miqve të tij më të mirë ishte ndarë nga jeta në mënyrë tragjike, kishte  prekur thellë të gjithë, ashtu si dhe Dritëro Agollin, mikun e tij më të madh nga  mesi i poetëve shqiptarë. Në shkrimet për këta dy poetë të mëdhenj lexonim se si Aliu kishte  vizituar shpesh Dritëroin në shtëpinë e tij, ku përshkruheshin bisedat e këndshme që ai kishte pasur me Ali Podrimjën, duke i ato deri pas mesnate, etj. Unë vetë dija për lidhjet shumë  miqësore të Aliut me Dritëroin, por edhe me poetë të tjerë shqiptarë nga të gjitha hapësirat. E kisha  mësuar  edhe nga  disa udhëtime që kishim bërë bashkë me Aliun në Shqipëri dhe në viset shqiptare. Ai vinte shpesh  në zyrën time në Radio prej nga i bënte telefonatë Dritëroit por edhe shumë miqve të tjerë të tij krijues. Pas çdo bisede ai më drejtohej duke më zgjatur receptorin, “Foli njëherë Dritëroit”, apo “Foli njëherë Kadaresë”, apo edhe “Fol këtu me Fatosin” (Arapin), por edhe “Foli Xhevahirit (Spahiut), “kushëririt tënd”, etj. Kështu unë kisha folur me pothuajse të gjithë miqtë me të  cilët bisedonte Aliu dhe unë arrita të njihja në këtë mënyrë disa prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë sonë. Ky është një kujtim i bukur për  të…

Më motivoi para  sa ditësh një itinerar i botuar në anglisht mbi transportin publik në Prishtinë ku shkruante. “How to get to Ali Podrimja in Prishtina, Kosovo?” (“Si të arrini tek Ali Podrimja në Prishtinë, Kosovë”, Dhe, ndonëse  fjala ishte për rrugën që bart emrin e poetit, ky sikur ishte një sugjerim shumë më i gjerë, se në Prishtinë ka vetëm një emër, por tejet të paarritshëm, dhe ai është emri i Ali Podrimjes. Vërtetë, vështirë të arrijë dikush tek lartësia e godinës së poetit më të madh të Kosovës…

  • Për cilat çështje të krijimtarisë do të mund të na flisni më shumë në raportin midis letërsisë amerikane dhe letërsisë shqipe?

Krijimtaria në Amerikë, sidomos ajo letrare, po përjeton atë që në Amerikë e quajnë epokë e letërsisë së “botëruar”.  Atje ka një trend që është i papërsëritshëm tek të tjerët, sidomos tek kultura të vogla. Kjo është letërsi “botërore” e individëve që kalojnë kufijtë dhe bëhen pjesë e globalizmit; letërsia është shndërruar në produkt të industrisë së botimeve të korporatave shumëkombëshe të botimit të librit të plasuar në mbarë tregun global.  Kështu, gjithnjë e më shumë krijimtaria letrare amerikane po konsiderohet si letërsi e përbotshme. Ajo tani gjithnjë e më shumë quhet “letërsi botërore” në vend se “letërsi me vulë amerikane”, si në të kaluarën.

Letërsia shqipe, ndërkaq, është larg këtij trendi dhe vazhdon të jetë e kufizuar në hapësirë të caktuar gjeografike dhe kulturore. Letërsia jonë konsiston në përpjekjet për të dalë mbi vetveten si përpjekje që të tejkalojë skematizmin tradicional. Ajo vazhdon të jetë “letërsi shqiptare” dhe ka një trend përpjekjeje përafrimi dhe unifikimi të hapësirave krijuese shqiptare, të cilat kanë vepruar të ndara pothuajse gjatë tërë shekullit të kaluar, për arsye politike, ideologjike, e të tjera. Ne akoma jemi në kërkim të një autentiteti të përbashkët në kuadër të qytetërimi të përgjithshëm shqiptar.      

Në përpjekje për të tejkaluar “mbylljen” përbrenda një kulture lokale, autorë shqiptarë bëjnë përpjekje që të thyejnë barrierat, përmes veprës së tyre, duke synuar hapësira të pashkelura më parë dhe pranueshmëri tek kultura të tjera. Disa prej autorëve shqiptarë edhe e kanë arritur këtë përmes përkthimeve të veprave të tyre si mjet efektiv dhe sfond i domosdoshëm për krijimtarinë e tyre. Ka autorë shqiptarë që kanë zënë të shkruajnë veprat e tyre, madje drejtpërdrejt edhe në gjuhë të huaja dhe kjo është një risi. Por me rëndësi për kultura të vogla dhe “lokale” si ajo shqiptare është që të depërtojnë tek kultura të tjera me tërë veçantitë dhe origjinalitetin e vet. Vetëm me origjinalitet krijues do të jemi të pranueshëm tek kultura të tjera…

Sot, përmes mediave globale dhe internetit është lehtësuar komunikimi mes njerëzve në mbarë botën. Procesi i globalizimit ka krijuar një realitet të ri, sipas të cilit ne nuk mund të funksionojmë më të izoluar, por duhet të ndërveprojmë me pjesën tjetër të botës për të mbijetuar si kulturë relativisht e vogël dhe me hapësirë të kufizuar. Natyra globale e shumë problemeve dhe çështjeve moderne nga më të ndryshmet, si mjedisi, qeverisja, komunikimi masiv, njohja reciproke mes kombeve, këmbimet kulturore kërkojnë bashkëpunim ndërmjet kombeve dhe këtu komunikimi ndërkulturor nuk është më vetëm një opsion, por një domosdoshmëri. Kjo ka bërë që edhe krijimtaria letrare, por edhe kulturore amerikane përgjithësisht të jetë shumë e qasshme për publikun tonë shqiptar. Prania e saj e gjithandejshme ka ardhur si rezultat i hapjes së shoqërive tona, por edhe përmes një përpjekje tradicionale të përkthyesve që ka bërë të “ligjërojnë” shqip shumë autorë, klasikë të letërsisë amerikane. Pothuajse nuk ka asnjë autor “të madh” amerikan që nuk është i njohur për lexuesin shqiptar, qoftë në prozë, poezi apo publicistikë. Ky trend i madh i “imponimit” të krijimtarisë amerikane vijon tani edhe me më rigorozitet, sidomos pas zhvillimit teknologjik të formave të bartjes së krijimtarisë letrare dhe artistike. Nga ana tjetër, emrat e autorëve shqiptarë tek publiku amerikan janë të pakët dhe simbolikë dhe tani me mundësitë e reja globale duhet të bëjmë përpjekje që ketë gjë ta ndryshojmë në të mirë të prezentimit tonë kulturor tek publiku amerikan.

Detyrë e krijuesve shqiptarë sot është që jo vetëm të përcjellin trendët aktualë në letërsitë e mëdha, por edhe që të mos ngelin jashtë suazave të modernitetit dhe përafrimit me qasjet dhe zhvillimet e letërsisë botërore. Asaj amerikane, në veçanti. Është një domosdoshmëri sot që produktet tona më të mira krijuese t’ia ofrojmë tregut botëror të artit dhe letërsisë. Mendoj se autentiteti i artit dhe krijimtarisë sonë do të mund të ngjallte kureshtjen e të tjerëve për një kulturë dhe art që në të kaluarën ka qenë pak e njohur nëse jo aspak. Kjo është dëshmuar, në raste, edhe në kaluarën. A nuk kemi dhënë disa emra në këtë drejtim, ndër të tjerë atë të Kadaresë, që kanë tërhequr admirimin jo vetëm të pjesës akademike në vende gjithandej botës. Ka dhe emra të tjerë që kanë merituar një pranueshmëri pa ekuivok tek kulturat e tjera që i veshin krijimtarisë sonë një dimension përtej një arti që kufizohet thjesht në hapësirat e veta të ngushta, ndonëse na mungon jetikisht një nobelist i letërsisë në kulturën tonë shqiptare!

Pra, në këtë drejtim kemi një detyrë përballë një qasjeje moderniste, institucionale dhe individuale, natyrisht duke krijuar një korpus të tërë përkthyesish dhe bartësish të veprave tona autentike në kultura të tjera, që të mos mbetemi hermetik dhe të panjohur për të tjerët. Botës e cila erdhi në shpëtim të shqiptarëve, miqve tanë po dhe kundërshtarëve duhet të iu dëshmojmë se shqiptarët kanë dhe vlera të tjera, përveç asaj të përpjekjeve shekullore për liri. Nuk kemi qenë kurrë më të përgatitur se sot për ta bërë këtë të qartë për botën…

Pra, problemi i prezentimit të kulturës shqiptare, sidomos të krijimtarisë letrare shqipe në gjuhë të tjera, ka qenë një proces më i kufizuar dhe më i ndërlikuar dhe vazhdon të jetë edhe sot. Kufizimet që paraqet një kulturë më e vogël kundruall kulturave të mëdha, siç është ajo anglo-amerikane, qëndrojnë në kërkimin për një hapësirë këmbimi dhe prezentimi vlerash, me supozimin që kjo të përkufizohet vetëm në supozimin se kemi vlera të vërteta. Ato, patjetër që ekzistojnë të dëshmuara edhe tek krijuesit tanë. Vështirësitë lindin që nga prezentimi i autorëve dhe interesimi i shtëpive botuese në kultura të tjera të cilët duan verifikim vlerash para se të vendosin për botimin. Kadare është bërë i njohur tashmë për publikun anglo-amerikan. Por, nëse nuk je Kadare vështirë do të depërtosh në publikun e një kulture të madhe si ajo amerikane. Ndonëse ka përjashtime dhe Kadare të tjerë edhe në këtë sens…   

  • Gjithashtu keni pasur mjaft angazhime në forume dhe në institucione të ndryshme, siç është puna në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të njeriut, por edhe angazhime të tjera. Çfarë mund ta na thoni më shumë?

Në vitet e nëntëdhjeta qenia shqiptare në Kosovë po përjetonte ditët më të rënda. Nuk ishte parë diku tjetër në kontinentin europian të fundshekullit njëzet që një popull i tërë të anatemohej në atë mënyrë dhe t’i ekspozohej një dhune të paparë institucionale si ajo që ushtrohej nga Serbia. Shqiptarët mund t’i vrisje, t’i rrahje, t’i arrestoje, t’i maltretoje dhe, sidomos, t’i përçmoje përtej masës së të qenit njeri. Shqiptarët kishin provuar dhunën e mëparshme nga tri regjime serbe në të kaluarën e tyre. Por tani kjo ishte diçka e tmerrshme që kishte për qëllim eliminimin e plotë të elementit shqiptar në Kosovë, pra eksterminimin dhe spastrimin etnik. Binte erë gjenocidi që së shpejti do të pasonte…

Në këtë situatë, pra, ishin intelektualët ata që u përpoqën të bënin diçka për  të galvanizuar këtë situatë para botës, ashtu siç bënte bota e civilizuar, përmes institucioneve të të drejtave të njeriut. Për këtë qëllim, 11 intelektualë të dëgjuar të kohës vendosën të themelonin Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Kishte në të avokatë, gazetarë, historianë, profesorë universiteti, e  të tjerë. Së shpejti ai u zgjerua me nënkëshilla  të të drejtave të njeriut anembanë Kosovës. Në këtë periudhë, Këshilli po bënte një punë të jashtëzakonshme: çdo krim institucional i regjimit serb në Kosovë raportohej në institucionet europiane. Europa  tani kishte një burim të rëndësishëm të informacionit për atë që po ndodhte në Kosovë. Këshilli u bë i njohur dhe i pazëvendësueshëm për informimin e opinionit publik. Europa filloi të reagonte dhe delegacione të shumta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut filluan të  vizitonin Kosovën për të parë dhe për t’u bindur vetë me atë që po ndodhte në Kosovë. Këshilli fitoi reputacion dhe besueshmëri të plotë tek institucionet ndërkombëtare.

Si rezultat, Këshilli tejkaloi kufijtë e vet lokalë dhe po merrte ftesa për  pjesëmarrje në forume, organizime dhe institucione të rëndësishme të të drejtave të njeriut në përmasa kontinentale. Madje, ai ishte i ftuar në samitin e OSBE-së dedikuar “dimensionit njerëzor” në Kopenhagë dhe me këtë rast përfaqësuesit e Këshillit tonë shpalosen dosjen e rëndë të krimeve dhe shkelje që Serbia po bënte në Kosovë. Tri herë me  radhë, përfaqësues të Këshillit morën pjesë  në sesionet e Nënkomitetit  të OKB-se për të  Drejtat e Njeriut në Gjenevë dhe  dy herë ne morëm fjalën për  t’iu drejtuar këtij forumi të lartë. Më kujtohet kur fola  për gjendjen në Kosovë, përmes një OJQ-je britanike të quajtur Liberty, e që pranoi të sponsorizonte  Këshillin me të drejtë fjale në këtë forum. Mora pjesë edhe në shumë tryeza  dhe  organizime  të ndryshme  për  të  drejtat  e njeriut në Oslo, Stokholm, Bernë, Vjenë, Bon, Romë, Paris, Bukuresht, etj. Për të prezentuar Këshillin dhe natyrisht Kosovën. Do të thosha se gjatë kësaj  periudhe kisha shkruar dhe përkthyer në anglisht mijëra  faqe të raporteve, letrave dhe memorandumeve që dilnin nga Këshilli drejtuar botës demokratike. Kur e mendoj nga kjo distancë kohore, them se Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke hapur një faqe të veçantë në historinë e përpjekjeve të kosovarëve për liri dhe pavarësi. Këshilli akoma vazhdon të jetë aktiv tani në Kosovën e lirë, si një “sy” i vëmendshëm ndaj çfarëdo shkeljeje të mundshme të të drejtave të njeriut. Ky  ishte pra qëllimi për të cilin edhe ishte krijuar fillimisht…

Isha po ashtu pjesë e Forumit të Intelektualëve  Shqiptarë, Shoqatës së Gazetarëve etj., si dhe punoja në gazetën dhe pastaj në Qendrën për Informim të Kosovës, në përgatitjen e biltenit ditor në gjuhën angleze lidhur me përditshmërinë kosovare të kohës. Më vonë, pas një ndeje me Dr. Rugovën, ai ma kërkoi që të isha pranë tij në udhëtimet e tij në botë dhe ky për mua qe një privilegj. Kam qenë i pranishëm në pothuajse  të gjitha takimet e tij të rëndësishme në vizitat e tij nëpër vende të ndryshme dhe dëshmitar i shumë momenteve të  ndritshme por edhe të zymta nga kjo përvojë e papërsëritshme. Ishte ky një angazhim imi total në kuadër të  Lëvizjes, por asnjëherë si eksponent partiak, duke u përpjekur të ruaja integritetin tim personal dhe të mos e zhysja veten në politikën partiake nga e cila nuk ka kthim…

  • Pse deri më sot nuk keni shkruar ndonjë vepër letrare, qoftë me poezi apo me prozë. A keni ndërmend ta shkruani ndonjëherë ?

Ndonëse në vitet e rinisë e kisha provuar veten në poezi, por edhe në prozë sidomos, dhe isha  veçuar në disa konkurse letrare që organizoheshin në nivel shkolle dhe qyteti, të merresha kryekëput vetëm me fiksion dhe beletristikë – shkrime letrare të shkruara në rend të parë  me synim të krijimit të vlerave estetike duke bërë këtë përmes përmbajtjes së trajtuar në mënyrë artistike – nuk më kishte vajtur ndonjëherë në mend si vokacion imi i ardhshëm – por jo edhe që të mos merresha fare me procesin e të shkruarit. Hamendem mes arsyeve për këtë: ishte fakti se duke u njohur me shkrimtarë të mëdhenj me kohë kisha krijuar një rezistencë ndaj guximit për t’iu qasur profesionit të shkrimtarit të mirëfilltë si autorëve të mëdhenj të letërsisë sonë dhe botërore, lartësinë e të cilëve s’e arrin dot, apo ngaqë profesioni i gazetarit të krijon vetëkënaqësinë e preokupimit me publicistikë dhe zhanret e saj, me gazetari, por edhe me eseistikë dhe shkrime publike? Sido qoftë, kisha gjetur veten në këtë të dytën. Për kompensim, duhej të kënaqesha me leximin dhe përkthimin e veprave letrare, në prozë dhe poezi, që paraqet dosido një formë të krijimtarisë letrare…

Megjithatë, sot në botën bashkëkohore, si për shkrimtarët ashtu dhe për lexuesit, ndonjëherë është e vështirë të bëhet dallimi midis krijimit letrar dhe shkrimit  publicistik. Shkrimi krijues ka  të bëjë me thurjen, stilin dhe me personazhe të krijuar nga imagjinata, ndërsa shkrimi publicistik iu referohet historive faktike të përqendruara në ngjarje dhe njerëz aktualë. Nëse shkruani për të qenë në gjendje të stisni ndjenjat dhe emocionet  dhe  të jetoni në një realitet dhe jetë ndryshe që keni krijuar ju vetë, atëherë do të jeni të prirur të shkruani fiksion – prozë letrare. Dhe, po të doni t’i lëshoheni plotësisht forcës së ndjenjave dhe vargut estetik të asaj se si ndiheni, do të shkruani poezi. Por, nëse shkruani për të dokumentuar, për të mbarështruar apo për të ndarë një përvojë, ndjenjë ose ngjarje të vërtetë, atëherë do të preferoni të shpreheni me shkrimin publicistik. Ndonëse sot një shfrim ndjenjash dhe përshkrimesh letrare janë të lejuara edhe në publicistikë, sidomos nëse autori mëton të fuqizojë dhe estetizojë përmbajtjet e punimit.

Aftësia për të krijuar botë të tëra pa shumë kufizime është një punë e këndshme që ofron publicistika. Është vërtetë fascinante të zhytesh në referenca dhe  dokumente mbi ngjarje historike dhe histori individuale, të cilat mund të mbarështrohen edhe me një qasje paksa  të “letrarizuar”. Për shembull, libri im “Misioni i parë”, që përshkruan  një përvojë individuale, sjell po ashtu pasuse të shkruara me një ndjenjë dhe qasje letrare me qëllim të fuqizimit të tekstit dhe shmangies së uniformitetit. Kjo gjë gjithmonë varet nga autori, madje do të thosha se kjo qasje po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Sidomos  tek publicistë amerikan dhe ata të “kulturave të mëdha”. Në të vërtetë, të shkruarit publicistik është në avantazh në shkrimin bashkëkohor. Edhe emra të mëdhenj autorësh në “kulturat e popujve të mëdhenj” po preokupohen gjithnjë e më shumë me tema realiste dhe dokumentiste duke u sprovuar me sukses në publicistikë. Disa prej veprave të tyre janë bërë “bestseller” dhe disa madje janë vlerësuar edhe me çmimet më të arta letrare, madje edhe me Nobël.

Për fund, nuk do të isha i sinqertë sikur të mos pranoja se, fshehurazi, më pëlqen gjithashtu të merrem me shkrimin letrar, madje do të doja që  disa nga këto shkrime të mund t’i botoja në një moment të caktuar kohor. Por, për  t’i vënë kapak kësaj teme duhet pasur gjithnjë parasysh faktin se “se secili shkruan atë që i pëlqen”…

  • Cili është mendimi juaj për përkthimin e veprave letrare nga gjuha angleze në gjuhën shqipe. Cili është niveli i këtyre përkthimeve?

Duhet vënë në spikamë zemërthyer se gjuha shqipe sot është në një krizë siç nuk e kemi pasur ndonjëherë më parë. Madje edhe atëherë kur gjuha shqipe është mohuar, është ndaluar apo ka qenë nën ndikimin e kulturave mbizotëruese. Do të thotë ajo i ka bërë ballë pushtimit 500-vjeçar otoman, presionit njëqindvjeçar të sllavishtes dhe ka qëndruar, ndonëse me dëmtime. Sot, ajo po lëkundet nën rrezikun që vjen vetvetiu nga mënyra e jetës sonë aktuale, të nënshtruar krejtësisht ndaj globalizmit, por edhe kozmopolitizmit, që ne e kemi pranuar si vullnet për t’iu vënë plotësisht në dispozicion, madje duke subordinuar edhe gjuhën tonë shqipe ndaj gjuhëve  të mëdha, sidomos anglishtes. Sot shqipja flitet dhe shkruhet me një sintaksë të çalë dhe pa leksikun e një pjese të mirë të fjalëve të gjuhës sonë, të cilat panevojshëm po zëvendësohen me fjalë të huaja, kurse rregullat gramatikore nuk përfillen më dhe emrat ka kohë që kanë zënë të mos lakohen, si dhe format e bukura  të shqipes, të thirrores e dëshirores të harrohen.

Për më tepër, sikur të mos na mjaftojë kjo, kemi zënë t’i sjellim sërish në përdorim fjalët turke e orientale që ne i  kishim flakur me kohë. Gjuha shqipe po humbet shkëlqimin e vet duke humbur madje edhe virtytin e saj të të qenit një ndër gjuhët më të njohura të saktësisë ekspresive. Një ndër të arriturat më të mëdha të kombit shqiptar, siç është gjuha standarde, ka zënë të mos përfillet, madje e  kritikuar edhe nga  gjuhëtarë që janë të thirrur ta mbrojnë atë. Ajo po humbet në dobi të të folurit vernakular dhe dialekteve të pakodifikuara. Refuzimi i gjuhës standarde bëhet me lloj-lloj arsyetimesh e “argumentesh jashtëgjuhësore”, ndërkohë që po krijohet një realitet gjuhësor i ndërlikuar dhe jostandard, gjë që mund të reflektojë negativisht në kulturën dhe krijimtarinë tonë. Për një përkthim të mirë kërkohet njohje njësoj kompetente e të dy gjuhëve, ndërkohë që për të bartur bukurinë estetike te një vepre të një autori të njohur botëror kërkohet sidomos  njohje e thellë e gjuhës shqipe, e fjalëve të rralla, përzgjedhje nga leksiku i gjerë i shprehjeve dhe sinonimeve të shqipes, si dhe i përvojës së përgjithshme të  traditës  letrare shqiptare. 

E thashë këtë edhe duke pasur parasysh edhe gjuhën e përkthimeve, të cilat për hir të së vërtetës, kanë pësuar një lulëzim të madh sasior në vitet e demokracisë, sidomos në Shqipëri. E mira  e kësaj është se tani lexuesi ka mundësinë që të ketë në duar veprat e  fundit letrare dhe publicistike të autorëve të huaj pothuajse  paralelisht me botimin origjinal. Sikur ka një garë mes shtëpive  botuese se cila do të sjellë një vepër të caktuar te lexuesi para se  këtë ta bëjë shtëpia konkurruese. Në Kosovë, ka një prodhimtari dhe kompetencë më pak prolifike në këtë drejtim.

Ndërkaq, sa i përket cilësisë së përkthimeve, me pak përjashtime dhe për shkak  të këtij nxitimi për botimet e fundit në gjuhën shqipe, vlen ajo që thamë më lart: mungesa e kujdesit gjuhësor dhe nxitimi, rrëmimi i pamjaftueshëm në thesarin leksikor të shqipes, një veprim i domosdoshëm për një përkthim të mirë dhe përdorimi i tepërt i fjalëve dhe termeve nga gjuhë të huaja tipizojnë punën e  përkthyesve to sotshëm. Natyrisht, kjo është përshtypja ime personale në mungesë të një studimi më të detajuar për  këtë temë. Ndonëse, kjo assesi nuk abstrahon përkthime të mira dhe të suksesshme të librave nga  autorë të huaj që vijnë në duart e lexuesit  shqiptar…   

  • Dikur ekzistonte Shoqata e Përkthyesve të Kosovës. Pse sot nuk kemi ndonjë shoqatë të tillë?

Dikur kishte organizime të tilla profesionale, por të ngjashme me esnafet profesionale në kuptimin tradicional të fjalës. Kishte shoqata të shkrimtarëve, të përkthyesve, të krijuesve  të artit, të artistëve, e të tjera organizime tipike për shoqëri të centralizuara, jo gjithmonë mbi baza të mirëfillta dhe të lira. Shoqëria dikur ishte  e kontrolluar edhe si e tillë mëtonte mbikëqyrje në çfarëdo forme të mundshme. Por edhe kjo ka qenë një formë organizimi. Ndonëse, nuk mbaj në mend që Shoqata e Përkthyesve të Kosovës të ketë bërë përpjekje të tilla, që të jetë marrë me çështje të përkthimit, në aspektin e teknikave, mënyrave dhe përsosjes së përkthimeve letrare. Shoqata ka përfshirë edhe përkthyes të lëmenjve të tjerë, ndaj ka qenë vështirë që  përkthyesi letrar të veçohej në këtë aspekt. Edhe pse, duhet rikujtuar se ajo periudhë ishte një nga më prodhuese në kuptim të numrit të veprave të përkthyera letrare, po edhe të nivelit të jashtëzakonshëm cilësor, koha kur kishte një numër të konsiderueshëm të përkthyesve letrarë në gjuhë të ndryshme që sollën si rezultat veprat më të mira të letërsisë botërore tek lexuesi kosovar.

Asociacionet e përkthyesve që gjenden në shumë vende merren kryesisht me sfidat se si mund të përmirësohen punët dhe kushtet e punës së përkthyesve. Edhe në ato raste, këto organizime paraqesin një sajesë të re, që loz rolin e sindikatës tradicionale në të cilat anëtarët mësojnë se si të përfitojnë nga kjo mundësi. Shoqata e Përkthyesve në SHBA, bie fjala, ofron më shumë se kaq duke shërbyer si një burim këshillash ekspertësh për përkthyes individualë letrarë dhe është gjithashtu një zë kolektiv që përfaqëson profesionin në tërësi.

Në Shqipëri ka një shoqatë përkthyesish, më sa di, mjaft efikase. Për fat të keq, siç i lëmë punët tona, ajo nuk përmbledh përkthyes profesionistë nga të gjitha viset shqiptare, pra edhe  nga Kosova. Tek ne (në Kosovë) nuk ka një formë të tillë organizimi dhe, të shumtën, përkthyesit janë të vetëmjaftuar për t’u marrë me këtë sfidë në mënyrë të pavarur dhe individuale. Ndonëse, shumë nga përkthyesit tanë kanë gjetur hapësirë edhe në organizime të tjera  letrare, si PEN Qendra e Kosovës, shoqata të krijuesve letrarë, etj. Nuk mund të injorojmë faktin se përkthyesit tanë punojnë të veçuar dhe pa një bashkëpunim në çfarëdo forme me kolegët  e tjerë. Puna është individuale dhe “e mbyllur”…

Por, mungesa e nxitjes dhe inkurajimit institucional është një çështje tjetër. E tëra i mbetet iniciativave private, të autorëve apo të përkthyesve. Gjë që nuk garanton me çdo kusht edhe plasim. Janë bërë disa përpjekje të suksesshme në këtë drejtim, nga autorë shqiptarë në Shqipëri, e më pak në Kosovë. Sipas një shifre zyrtare në Shqipëri, vetëm në gjuhën italiane janë përkthyer dhe botuar mbi 300 vepra autorësh shqiptarë në 30 vjetët e fundit. Tek ne në Kosovë ky numër është i vogël, ndonëse ka pasur autorë të përkthyer shqiptarë edhe në gjuhë të tjera, ndonëse jo aq sa  do të duhej. Autorët e përkthyer në të kaluarën janë prezentuar në kuadër të ndonjë forme antologjike, me shumë autorë, të ndonjë reviste letrare (“Jeta e re”), apo të ndonjë inserti të shkurtër nga opusi i veprave të autorit. Nëse kjo në të kaluarën ka qenë një raritet, së fundi ka pasur më shumë aktivitet në këtë drejtim. Ende të pakët janë autorët kosovarë që janë përkthyer në gjuhë të  huaja. Në këtë  prin romancieri ynë i njohur Ibrahim Kadriu, me listën e veprave të tij të përkthyera në gjuhën frënge (katër vepra), pastaj në anglisht, serbokroatisht, rumanisht, në gjuhën malazeze, në turqisht, italisht, greqisht, suedisht dhe së fundi në arabisht.

Janë prezentuar në përkthim veprat dhe vargjet e Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Sali Bashotës (në anglisht, rumanisht e gjuhë ballkanike), Ibrahim Berishës (përtkhime në anglisht, etj.), Ilire Zajmit (në italisht e anglisht e ndonjë gjuhë tjetër) e të disa poetëve dhe poeteve të tjera. Tash së voni, janë bërë përkthime në anglisht të veprave të disa autorëve dhe autoreve kosovarë. Më parë  veprat e përkthyera kanë qenë kryesiht në gjuhët e vendeve ballkanike, ndërkohë që synimi është që krijuesit tanë të përkthehen dhe të prezentohen në gjuhë dhe tek kultura të mëdha, përtej rajonit.

Por, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. Përpjekjet për të gjetur botues të mirëfilltë të autorëve shqiptarë në gjuhët e mëdha është sfida e vërtetë dhe ngel të jetë thembër e Akilit. Stimulimet institucionale në këtë drejtim janë pothuajse joekzistente. Shoqata  të mirëfillta profesionale, siç është Qendra e PEN-it kosovar, mund të ishte një adresë e duhur e prezantimeve të autorëve kosovarë në gjuhë të mëdha, sidomos në anglisht e frëngjisht, një detyrë që i përshtatet thirrjes dhe misionit të PEN-it kosovar, si pjesë e PEN-it ndërkombëtar. Dhe, për këtë, më sa di, ka plane. Do të duhej ndërkaq, që PEN-i të stimulohej në këtë drejtim me donacione qoftë institucionale qoftë private që të arrijë të kryejë këtë mision…   

  • Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen?

Aktualisht jam duke punuar në disa projekte  paralelisht, tre libra publicistikë dhe dy përkthime të autorëve të huaj që janë marrë me shqiptarët dhe çështjen shqiptare, ndërkohë që i kam vënë vetes një detyrim, mbase jorealist, që mundësisht të botoj një libër autorial, apo libër të përkthyer në vit. Ndoshta  është një detyrim që është vështirë të mbahet, por ky është një zotim që del nga vullneti dhe dëshira që kam për të qenë i pranishëm në letrat shqipe dhe për t’i dhënë një kontribut të vogël kulturës sonë të madhe shqiptare… 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here